Flamurtari në Laç për të thyer tabunë e transfertave
1 pikë në katër transfertat e fundit është shumë pak për vlonjatët
Me vetëm 1 pikë të grumbulluar në katër transfertat e fundit (barazimin 1-1 me Teutën), Flamurtari do të jetë para një prove të vështirë në Laç, në ndeshjen e javës së 30-të. Një sfidë që do të vendosë shumë për të ardhmen e Flamurtarit, që ka dy pikë më pak se Skënderbeu kryesues. Flamurtari i ka fituar te dy përballjet sezonale me laçjanët me rezultatin e ngushtë: 1-0 në Vlorë dhe 1-0 në Laç. Kurbinasit në prag të sfidës me vlonjatët lëshuan akuza të pastra: Flamurtari ka paguar Tiranën për t’i mundur ata. Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika: “Asgjë nuk ka mbaruar dhe na duhet të luajmë të gjitha shanset tona në fushën e lojës.” Një javë më parë, Laçi humbi 2-0 Korçë, por kurbinasit nuk gjuajtën asnjëherë në portën e Skënderbeut. Flamurtari ka pësuar 3 humbje në 4 ne transfertat e fundit dhe presioni psikologjik është i madh te djemtë e Gugash Maganit. Do t’ia dalë Flamurtari në Laç apo jo? Nëse vlonjatët humbasin dhe Skënderbeu fiton po të hënën në Tiranë, atëherë korçaret shkojnë në +5 dhe titulli bëhet shumë i largët për vlonjatët që kanë kryesuar në pjesën dërrmuese të kampionatit. Në 20 ndeshjet e zhvilluara deri tani midis Laçit dhe Flamurtarit, 8 fitore u përkasin laçjanëve dhe 9 vlonjatëve.