Tirana për “2” në Slloveni

Tirana, skuadra shqiptare me më shumë ndeshje ndërkombëtare në Europë (56, nga këto 32 në Ligën e Kampioneve), do të nisë sot në Domzhale të Sllovenisë, për herë të 12-të aventurën në Ligën e Kampioneve, qysh nga debutimi i saj i parë në vitin 1965, kur u eliminua atëherë nga skocezët e Kilmarnokut (0-0, 0-1).
Kur "goglat" e shortit vendosën kundërshtarët e turit të parë eliminator (NK Domzhale-SK Tirana), trajneri i Tiranës, Sulejman Starova pohoi se "shorti mund të kishte qenë më i mirë, por mund të kishte qenë edhe më i keq për ne". Nëse atëherë, më 29 qershor në Nion të Zvicrës, tekniku bardheblu, i cili drejtoi Tiranën edhe në edicionin e fundit të saj të Ligës së Kampioneve (2005-2006), ku arriti të kalojë në turin e parë, skuadrën tjetër sllovene Nova Gorica (humbi në Gorica 2-0 dhe fitoi në "Qemal Stafa" 3-0), pohoi se "ne nuk dimë shumë gjëra rreth kundështarit, por do të përpiqemi të arrijmë objektivin tonë, kalimin në raundin tjetër", tashmë ai e ka krijuar një përshtypje. Trajneri i Tiranës, Sulejman Starova ishte në Slloveni për t'i ndjekur nga afër kundërshtarët në Superkupën e Sllovenisë, ku Domzhale fitoi 2-1 me Koperin (mesfushori Zinko ishte autor i dy golave për Domzhalen).
Optimizmi i 23-herë kampioneve, që u nisën dje për në Slloveni (në mbrëmje zhvilluan edhe një stërvitje njohëse në "Sportni Park") është i dukshëm. Pas periudhës përgatitore në Strugë dhe Ohër të Maqedonisë dhe të një serie prej pesë fitoresh në ndeshjet testuese (ku spikasin ato me Vardarin e Shkupit), bardheblutë janë të vetëdijshëm se e kanë forcën për të marrë një rezultat në Domazhale, që do të vlejë edhe për ndeshjen e kthimit një javë më pas (25 korrik) në Tiranë. Trajneri Starova, por dhe ndihmësit e tij, Alban Tafaj e Ardian Mema, pas analizës në vija të përgjithshme të portretit të kundërshtarit, edhe pse kanë qenë të kursyer në deklarata, kanë qenë në unison në një pikë, që në futboll është dhe me e rëndësishmja: do të kualifikohemi për në turin e dytë, me një kundërshtar që shpallet për herë të parë kampion i Sllovenisë, dhe merr për herë të parë në Ligën e Kampioneve.
Në fakt, kalimi në turin e dytë eliminator nuk është një tabu për bardheblutë, pasi e kanë kaluar atë nëntë herë, tetë herë në Ligën e Kampioneve dhe një herë në Kupën UEFA. Madje edhe sezonin e kaluar në Kupën UEFA, Tirana eliminoi në turin e parë, skuadrën kroate Varteks i Varazhdinit. Tirana, që përjetoi shtatë largime gjatë merkatos verore (u larguan Sinani, Pisha, Allmuca, Abraham, Bulku, Pema, Fish) do t'i besojë në sulm dyshes Fortuzi-Abazaj. "Zogu" është edhe shënuesi më i mirë bardheblu në Europë. Sulmuesi i Tiranës, i cili është rikthyer pas aventurës greke me Iraklisin ka shënuar 10 gola (pas tij renditen Vasil Ruci dhe Dorian Bylykbashi nga 6 gola). Fortuzi u shpreh para nisjes se e vlerëson si të vështirë ndeshjen me Domazhalen, por beson te forca e grupit për një kualifikim të pritshëm.
Në turin e dytë, nëse do të pranojmë se kampionia e Shqipërisë do të kualifikohet, do të kemi përballjen Tirana-Dinamo Zagreb, që do të ishte një përsëritje e vitit 1996, kur Tirana i humbi të dyja takimet : 4-0 dhe 6-2. Një short i vështirë, që mund t'i thotë sërish ndal kalimit të "traut" të turit të dytë.
Ekipet shqiptare në Europë
Tirana: 56 ndeshje;
13 fitore, 6 barazime, 37 humbje. Golat 53:101
Partizani: 42 ndeshje;
8 fitore, 6 barazime, 28 humbje. Golat 29:76
Dinamo: 34 ndeshje;
6 fitore, 6 barazime, 22 humbje. Golat 20:60
Vllaznia: 28 ndeshje;
8 fitore, 1 barazim, 19 humbje. Golat 25:52
Teuta: 20 ndeshje;
5 fitore, 2 barazime, 13 humbje. Golat 17:43
Flamurtari: 18 ndeshje;
3 fitore, 4 barazime, 11 humbje. Golat 15:26
Elbasani: 6 ndeshje;
1 fitore, 2 barazime, 3 humbje. Golat 2:10
Besa: 4 ndeshje;
0 fitore, 3 barazime, 1 humbje. Golat 3:9
Apolonia: 4 ndeshje;
0 fitore, 0 barazime, 4 humbje. Golat 1:17