E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana përshëndet dialogun Kosovë- Serbi pavarësia e pakthyeshme

TIRANE-  Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot fillimin e dialogut për çështje teknike midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nisë sot pasdite në Bruksel.

Kryeministri e cilëson fillimin e dialogut midis dy vendeve, si një proces të domosdoshëm për konsolidimin e pavarësisë, integritetit territorial të Kosovës dhe si një proces që kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon.
"Zgjidhja nga shteti i lirë dhe i pavarur i Kosovës i të gjitha problemeve, me fqinjët në tërësi dhe Serbinë në veçanti, ka rëndësi parësore në konsolidimin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, fuqizimin e rolit të saj në bashkëpunimin, integrimin rajonal, europian dhe euroatlantik", ka thënë Berisha thuhet ne njoftimin për shtyp të kryeministrisë.

Kryeministri përshëndeti gjithashtu angazhimin e BE-së, zyrës së Baroneshës Ashton, në lehtësimin e dialogut, si dhe mbështetjen e qeverisë së SHBA, si një kusht i domosdoshëm për ecurinë pozitive dhe suksesin e tij.
Berisha shprehu besimin se e ardhmja europiane e shqiptarëve dhe serbëve përbën bazën solide, për të nisur një kapitull të ri në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis këtyre dy kombeve.

Edhe ministria e Jashtme përshëndeti sot fillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, si dy shtete të pavarura e sovrane. "Ne vlerësojmë se dialogu i drejtpërdrejtë mes dy shteteve fqinje e sovrane është i domosdoshëm për zgjidhjet e problemeve, që jo vetëm do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të këtyre vendeve, por njëkohësisht do të kontribuojë për paqe e stabilitet në rajonin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane".- thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj ministrie.

MPJ mbështet edhe angazhimin e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në këto bisedime, duke ritheksuar se "Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, i njohur nga 75 shtete, që i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në rajon".

Sipas MPJ-së, rezoluta konsensuale e AP të OKB-së, që mirëpriti mendimin këshillimor të GJND për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, mbylli përfundimisht çështjen e statusit dhe integritetit të saj territorial dhe çdo përpjekje për rihapjen e saj nuk i kontribuon këtij dialogu.

"Ne do të vlerësonin që ky dialog i nisur në Bruksel do të kontribuojë në mënyrë konstruktive për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha nismat e forumet rajonale e më gjerë”, përfundon deklarata për shtyp e ministrisë së Punëve të Jashtme
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›