Koço Danaj sjell Shqipërinë natyrale
Libri i ri, që trajton platformën e bashkimit të shqiptarëve
“Një Shqipëri natyrale, që do të përfshinte të gjitha territoret e marra nga fqinjët, është një realitet njerëzor që duhet të kthehet dhe në realitet gjeopolitik”. Kështu ka deklaruar dje Koço Danaj, publicist dhe studiues, i cili ka promovuar librin e tij, “Platforma e Shqipërisë Natyrale”, eveniment ku kanë marrë pjesë 100 të ftuar nga të gjitha partitë politike, nga Kosova, Maqedonia, Presheva, Mali i Zi etj. Sipas Danajt, platforma e Shqipërisë natyrale bazohet në trashëgiminë pozitive të shqiptarëve, që nga epoka e Skënderbeut dhe përvoja e Lidhjes së Prizrenit. Platforma është botuar në pesë gjuhë: shqip, anglisht dhe në gjuhët ballkanike fqinje, greqisht, serbisht dhe maqedonisht. Danaj tha se pas pavarësisë së Kroacisë, Bosnjës, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, shteti jugosllav u shpërbë dhe marrëveshjet që i morën toka Shqipërisë dhe ua dhanë Jugosllavisë, nuk janë më të vlefshme, ndaj është koha e shtrimit të idesë së Shqipërisë natyrale. Koço Danaj, edhe pse hedh një ide shumë të guximshme, që pakkush e mendon të realizueshme, thekson se “kjo arrihet duke bërë dialog me këdo dhe për gjithçka, pa vendosur fillimisht ndonjë gjë”. Në librin e Danajt theksohet se “Shqipëria natyrale synon shndërrimin e kombit shqiptar nga zjarrfikës, siç është sot në paqebërësin kryesor të rajonit të Ballkanit. Paqja dhe stabiliteti rajonal ka nevojë për paqebërës dhe jo për zjarrfikës. T’i caktosh kombit shqiptar rolin e zjarrfikësit, do të thotë se parashikon zjarre të tjerë në rajonin e Ballkanit”... Koço Danaj, një studiues dhe drejtues i Institutit të Prognozave Rajonale, ka një përvojë të gjatë në çështjet e shqiptarëve dhe madje ka punuar edhe si këshilltar pranë ish-kryeministrit, Ilir Meta.
#