E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Sannino: Opozita ka bazuar fushatën e saj në sulme ndaj mazhorancës dhe kandidatëve të saj

14-04-2011 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë Sali Berisha takon drejtorin e Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sannino, e informon për plotësimin e 12 rekomandimeve të BE si dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 majit


Drejtori i Zgjerimit në BE, Stefano Sannino ka theksuar sot se, raporti përfundimtar për zgjedhjet vendore do të pasqyrojë dhe rolin specifik që ka pasur çdo forcë politike në mbarëvajtjen e tyre. Në një takim me kryeministrin Berisha, Sannino theksoi rëndësinë e madhe që zgjedhjet vendore kanë për Shqipërinë jo vetëm në planin e brendshëm por dhe në atë të integrimit. Drejtori i BE ka mbështetur miratimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit theksoi nevojën për arritjen e një metodologjie për trajtimin e përbashkët të problematikave që shtrojnë 12 prioritetet dhe rëndësinë për të ruajtur vëmendjen dhe ritmin e punës në procesin e integrimit evropian edhe pas zgjedhjeve. Gjatë takimit, kryeministri Sali Berisha siguroi bashkëbiseduesit se qeveria do të bëj çdo gjë që është në dorën e saj për të garantuar suksesin e procesit të integrimit. Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht bashkëpunimin e Ministrisë së Integrimit me Komisionin për Integrimin të Kuvendit duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ky Komision luan në këtë proces. Duke folur për procesin zgjedhor, kryeministri e njohu drejtorin e BE me një seri masash të marra në kuadër të përmirësimit cilësor të procesit zgjedhor të tilla si; miratimi i listave të zgjedhësve të pastruara nga duplikatat, personat më shumë se 100 vjeç dhe ata që kanë lënë shtetësinë, miratimin e ligjit për financimin e partive politike, urdhrin e fundit të kryeministrit për ndalimin e përdorimit të automjeteve shtetërore dhe aseteve publike në funksion të fushatës zgjedhore, etj. Nga ana tjetër, Berisha dënoi incidentet e ndodhura gjatë fushatës duke theksuar se nuk ekzistojnë shkaqe për tensionimin e fushatës. Ai theksoi se do të vazhdojë ti kërkojë të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor që të shmangin dhe distancohen nga çdo akt dhune dhe tensionim i fushatës zgjedhore. Kryeministri riafirmoi qëndrimin se Partia Demokratike dhe kandidatët e saj do të bëjnë një fushatë pozitive të bazuar në vlera dhe të fokusuar tek qytetari dhe komunitetet vendore pavarësisht se zoti Rama dhe Partia Socialiste e bazojnë fushatën e tyre në sulme ndaj mazhorancës dhe kandidatëve të saj dhe përpiqen t’i paraqesin zgjedhjet jo si zgjedhje administrative, por me karakter politik.


Vizita


Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian Stefano Sannino, ka mbërritur në Tiranë për të takuar krerët më të lartë të politikës shqiptare. Tema kryesore e këtyre takimeve janë zhvillimet më të fundit politike në vend, fushata zgjedhore dhe procesi i përgatitjes së zgjedhjeve të 8 majit. Po ashtu, Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian do të diskutojë edhe mbi ecurinë e plotësimit të 12 kritereve që vendi ynë duhet të plotësojë në funksion të procesit të integrimit europian. Kjo është vizita e dytë e Stafano Sanino në Tiranë Brenda një kohe të shkurtër. Në fund të muajit të kaluar ai ishte pjesë e tryezës së organizuar nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, mbi integrimin e Shqipërisë. Gjatë asaj tryeze Sanino ka kërkuar angazhimin e të gjitha palëve politike si dhe arritjen e një dialogu politik në interes të procesit të integrimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›