E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, qeverisja e shtrembëruar

Petrit Vasili 

Eshtë hera e parë ndoshta që duke vënë në zap nostalgjitë për Tiranën time, ndjej realisht në shpinë peshën e një qyteti që s‘është më imi, që më bezdis, më lodh, më sëmur, pra të një qyteti që më plagos mendjen dhe shpirtin. Si shumë e shumë qytetarë të vjetër të këtij qyteti sot që edhe vetë kam më shumë se gjysmë shekulli që jetoj ditët e mija në të,  e ku do të ngrys edhe fundin e jetës sime, për fat të keq ndjehem si kurrë ndonjëherë i betonuar pa ajër, por edhe shpresërrënuar.
I tmerruar si mijëra bashkëqytetarë të mij, nga kioskat pa fund të Sali Berishës, që gjalluan më keq se karkaleci kur bie ndër fusha në periudhën 1992-‘97, përjetova ditë të jashtëzakonshme të një optimizmi që thuajse më ishte rrënuar plotësisht, kur Ilir Meta vendosi të na kthente neve qytetarëve të Tiranës, parkun e famshëm “Rinia”, duke e çliruar atë nga tonelatat e urinës, zvetënimit dhe konsumimit të prostitucionit publik e drogës materiale dhe asaj sociale ku ai ishte zhytur keqas dhe në mënyrë thuajse të pashërueshme.
Shpresëmëdhenj unë dhe mijëra të tjerë, tiranas dhe të ardhur në këtë qytet të madh besuam se modeli “Rama” i promovuar e zgjedhur kryetar bashkie në 2000 dhe i paraprirë e mbështetur nga modeli “Meta” i parkut “Rinia”, do të ishte normalisht modeli ynë, modeli i së ardhmes, si dhe rikthimi i optimizmit për të jetuar në Tiranën tonë të përdhunuar pa mëshirë nga Berisha.
Nuk jam lodhur së foluri për “iluminizmin” e modelit të ri të Tiranës, që do të na bënte të jetonim normalisht në qytetin tonë të lindjes, nuk kam hezituar të sherrosem edhe me miq të mij të vjetër e të mirë, dyshues dhe mosbesues në këtë model duke besuar budallallisht në të.
“Budallallëku” im kishte edhe një premisë së paku në dukje objektive, sepse besonte se qytetari Rama do ta donte sadopak qytetin e tij të lindjes dhe presioni i të kaluarës, pse jo edhe i nostalgjive të kohëve të shkuara dhe rinisë së nisur në këtë qytet ambientalisht të shëndetshëm dhe të gjelbërt për t’u pasur zili, do të ishin shtysa dhe ngacmime veçse pozitive për të implementuar një model të mirë dhe mbi të gjitha të jetueshëm.
Sigurisht që si mijëra e mijëra bashkëqytetarë të mij shoh sot se si është tretur qyteti ynë dhe bashkë me të, edhe bashkëqytetari ynë Rama në betonin përvëlues, që ka zaptuar qytetin dhe që ka fituar në mënyrë asgjësuese betejën me gjelbërimin. Fëmijët e këtij qyteti janë të detyruar sot në mënyrë të dhimbshme të konsumojnë orë, javë, muaj e vite të burgosur brenda shtëpive dhe të paguajnë para pa fund për barna, për të shëruar mushkëritë e plagosura nga ajri i fëlliqur, sepse metrat katrorë të gjelbërimit që jep jetë  janë zëvendësuar me beton vrastar.
Ne të gjithë duke u dergjur nën të nxehtin e jashtëzakonshëm,  që reflektohet nga qindra, mijëra metra katrorë e kub të betonit të derdhur pamëshirë në këtë qytet, jemi të bindur se nën të është varrosur edhe modeli i Tiranës, i cili i ezauruar plotësisht, rri atje poshtë për të mos dalë kurrë më mbi vete.
Si mijëra e mijëra bashkëqytetarë të mij jemi sot të imponuar të përthithim erën dhe kutërbimin e ndyrë të kanaleve të ujërave të zeza, apo të kazanëve të mbeturinave, duke ofruar një model te përçudnuar bashkiak, që nuk gjen asnjë krahasim as me historinë e afërt, apo të largët të këtij qyteti.
Ky qytet, i cili ofron sot modelin e shëmtuar të një trafiku kaotik, që e ka bërë qytetin të pajetueshëm dhe na ka vënë të gjithëve në provën e hekurt të përballimit të një ndotjeje ambientale, por edhe akustikë të pashembullt, ku këtë të fundit po ta themi më thjesht akoma, të përballimit me zhurma të llahtarshme 24 orë në ditë, duke privuar qytetarët e saj të punëtorë edhe nga e drejta e pak orëve gjumë e çlodhje në qetësi pas punës së lodhshme e stresit të këtij qyteti armiqësor për shëndetin .
Të gjithë ne kur kemi dëgjuar dikur prezantimet e modelit të ri për Tiranën, atëherë nuk ishin enqiklika, nuk na shkonte as për më voglin çast në mëndje se modeli i ri, i mallkuar do të ishte praktikisht dënimi për të thithur një ajër të ndotur në mënyrën më të keqe dhe me një përbërje ndotësish, dëmi i të cilëve fillon me sëmundjet e rënda akute e kronike, invalidizuese të mushkërive dhe përfundon tek kanceret e pashmangshme pulmonare të të gjitha llojeve.
Megjithatë qytetarët e Tiranës nuk duhet të shqetësohen, sepse kryetari i tyre ja ka gjetur dermanin vetes, duke jetuar në Pezën e pastër, të pandotur dhe që ofron edhe shumë atraksione interesante të tjera.
Modeli tërësisht i ezauruar i Tiranës po përball sot këdo nga ne, me sfidën e mbijetesës sepse uji i pijshëm mungon sot në atë mënyrë, saqë askush nga ne nuk mund të guxojë të thotë që ai është qytetar i metropolit shqiptar.
Sot Tirana është shndërruar në fushën e betejës së qytetarëve me arbitraritetin e modelit të ezauruar, që ka zëvendësuar dialogun me ta dhe nismat e të ashtuquajturve komisione qytetare me sulme të organizuara policësh bashkiakë e gjithfarësh të tjerë, që mësyjnë pronat dhe shtëpitë e qytetarëve e që nuk i kursejnë atyre nxjerrjen në rrugë të madhe, sepse modeli i ezauruar nuk i mbron, por i shtyp ata që janë të pambrojtur e pa përkrahje.
Sot modeli i ezauruar nuk është modeli i qytetarëve që qeverisin nëpërmjet të zgjedhurit të tyre Rama, por që sundohen, përbuzen dhe shtypen prej tij.
Qytetarët e Tiranës duhet të binden më së fundi dhe “të mbledhin mendjen” e të mos shpresojnë më tek qytetari i parë i tyre Rama për asgjë, sepse pas dialogjeve e monologjeve baritore nihiliste, si dhe pas prioritetit për të folur gjatë dhe nga afër, bile edhe në ditët e fundit me Berishën, për të përfunduar së bashku zullume të tjera antiqytetare, nuk do të ketë kohë të merret e të flasë me ta, sepse prej kohësh ata nuk janë një preokupacion dhe prioritet i tij, por thjesht dhe vetëm ca budallenj elektoralë, të cilët i kanë dhënë votat dhe aq.
Por Tirana jonë dhe qytetarët e saj me sqimën dhe krenarinë metropolitane të tyre nuk mund të vazhdojnë të gëlltisin më si deri tani, “Non stop Big Brodher Show” të inaugurimeve të fushave të vogla të sportit të lagjeve, që zhduken pak javësh e të shoqëruara si gjithmonë me koshat e shënuara të Ramës, as edhe montazhet pa fund televizivë të televizioneve alla Edi News, ku lideri i përtej së majtës dhe të djathtës kërkon e kërkon, e gjen gjithnjë vetëm Sali Berishën.
Qytetarët e Tiranës pyesin të gjithë me shqetësim dhe qesëndi se ku i humbi sëpata Ramës, me të cilën priste dikur në mënyrë të paligjshme, lidhjet e paligjshme të ujit dhe pse ndër njëmijë paudhësirat, që diskuton me Berishën, e që nuk kursejnë edhe Kushtetutën e Shqiptarëve, nuk u zgjidh ujin qytetarëve të qytetit ku ka lindur, por që nuk është më qyteti i tij.
Por si qytetarë të mire, të përgjegjshëm dhe shume të shqetësuar për fatet e qytetit tonë, ne do ta ndihmojmë atë që të çlirohet nga bota fiktive e montazheve televizive të një Tirane dhe një Shqipërie të rreme, që ato krijojnë, që ai të realizojë deri në fund të mandatit të tij në 2011, ato premtime e program që së bashku mbrojtëm dhe për të cilat qytetarët e Tiranës e votuan atë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›