E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotot e kryetarëve në fletëvotime

Fleta e re e votimit do të shoqërohet edhe me fotot e kryetarit të partive politike, që do të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

BLEDAR HOTI

Ky ka qenë vendimi i komisionit të posaçëm për hartimin e Kodit të Elektoral. Në mbledhjen e djeshme të zhvilluar me dyer të mbyllura është përcaktuar se, në krah të emrit të partisë politike do të jetë edhe fotoja e kryetarit. “Emrat e partive politike, koalicioneve dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit vendosen në fletën e votimit sipas rendit alfabetik të emrit të tyre. Përbri emrit të partisë vendoset sigla në fletën e votimit, shkronja nistore dhe fotoja e kryetarit të partisë politike, si dhe fotoja e kandidatit të propozuar nga zgjedhësit. Çdo subjekti që renditet në fletën e votimit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësit”, citohet në nenin e miratuar me konsensus në mbledhjen e komisionit të posaçëm. Gjithashtu është përcaktuar që edhe për rastet kur do të ketë koalicione politike i bie që të shënohet emri i koalicionit politike, si dhe të realizohet dhe fotot e kryetarëve të partive politike. Anëtari i PR-së në këtë komision, Arjan Madhi, e ka mbështetur këtë nismë duke e cilësuar si mjaft pozitive, pasi kjo lidhet edhe me mosngatërrimin e zgjedhësve gjatë votimit pasi disa parti mund të kenë sigla të njëjta. Por deputetët e tjerë të maxhorancës dhe opozitës me tone humori kanë deklaruar se, “Madhi nuk duhet të mbështetëse këtë nismë, pasi kryetari i tij po hetohet nga Prokuroria për ngjarjen e Gërdecit”. Kjo më pas, sipas burimeve, mësohet se ka shkaktuar tone humori nëse ndonjë kryetar partie shkon në burg dhe se çfarë fotoje do të vihet në krah të siglës së partisë, apo jo e nënkryetarit të subjektit politik. Sipas kësaj përllogaritjeje, i bie që fleta e votimit të jetë shumë e madhe pasi duhet të shoqërohet edhe me fotot e krerëve të partive, apo të koalicionit politik, që do të krijohen në zgjedhje. Komisioni ka përcaktuar mënyrat e numërimit të fletëve të votimit. Ashtu si dhe në votimet e tjera, votimi i fletëve do të bëhet në një vend të përbashkët në grup. Numërimi i votave është përcaktuar në kod se, duhet të realizohen në salla të mëdha, në palestra shkollash, apo në ambiente të tjera ku ka mundësi veprimi. Në mbledhjen e djeshme deputeti i PSD-së, Engjëll Bejtaj, ka propozuar që PS-ja dhe PD-ja të japin një draft të plotë të draftit, duke pasur mundësinë dhe të shqyrtimit të plotë të projektligjit të ri zgjedhor. Por një gjë e tillë nuk është pranuar nga ana e bashkëkryetarëve Rusmali të PD-së dhe Xhafajt të PS-së. Ndërsa nuk është dhënë përgjigje pyetjes së bërë nga ana e deputetit të LSI-së, Braho, në lidhje me fatin e votimit të emigrantëve shqiptarë. Pasi nuk ishte përcaktuar në nenet e Kodit Zgjedhor, se si do të votonin emigrantët dhe çfarë konfigurimi do të kenë fletët e votimit për këtë kategori personash.

nenet

Neni X
Fletët e votimit
1. Për zgjedhjet për Kuvendin zgjedhësi voton në një fletë votimi, me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore.
2. Sasia e fletëve të votimit është e barabartë me numrin e zgjedhësve, duke i shtuar 2 për qind.

Neni XI
Përmbajtja e fletëve të votimit
1. Fletët e votimit për zgjedhjet përgatiten nga KQZ-ja. Fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurime të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elementë sigurie, sipas përcaktimeve të KQZ-së.
2. Fletët e votimit prodhohen në blloqe me kundërfletë. Numri i serisë shënohet vetëm në kundërfletë.
3. Emrat e partive politike, koalicioneve dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit vendosen në fletën e votimit sipas rendit alfabetik të emrit të tyre. Përbri emrit të partisë vendoset sigla në fletën e votimit, shkronja nistore dhe fotoja e kryetarit të partisë politike, si dhe fotoja e kandidatit të propozuar nga zgjedhësit. Çdo subjekti që renditet në fletën e votimit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësit.
4. Partitë pjesëtare në një koalicion zgjedhor shënohen të renditura njëra pas tjetrës, në pjesën e fletës së votimit që i përket koalicionit zgjedhor. Radha e renditjes së tyre përcaktohet sipas rendit alfabetik. Për secilën nga partitë të koalicionit shënohet emërtimi i saj, së bashku me shkronjat nistore, si dhe foto e kryetarit të partisë politike. Çdo parti politike anëtare e koalicionit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi.

Berisha: Opozita të votojë kontratën

Qeveria ka miratuar kontratën me kompaninë Sagem, për prodhimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike. Duke folur në mbledhjen e kabinetit, Kryeministri Berisha u shpreh se kompania e përzgjedhur si fituese, “Sagem” dhe konsorciumi së bashku me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, sollën ofertën më të mirë, e cila plotësonte të gjitha kushtet teknike, të përcaktuara nga grupi i ekspertëve. Kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës që ta votojë këtë marrëveshje në parlament. “Jam në dijeni se opozita, pas reagimeve fillestare absurde, ka marrë dosjen e dokumenteve, - më vjen mirë për këtë, - dhe është njohur me to. Ajo do të ketë mundësi të njihet me të edhe në Parlament, pasi kontrata do të shkojë atje për shkak të rëndësisë strategjike që ka për vendin dhe shpresoj që opozita, duke pasur parasysh, transparencën e plotë e totale të këtij procesi, të mos rreshtohet mbrapa interesave të ngushta klienteliste, por ta mbështesë atë”, u shpreh kreu i qeverisë. sipas tij “shqiptarët do të mund të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme me infrastrukturën më të mirë, të barabartë me atë të vendeve evropiane. Karta e identitetit, pasaporta biometrike, regjistri elektronik i Gjendjes Civile dhe listat elektronike të zgjedhësve përbëjnë vërtet një infrastrukturë të pashembullt më parë për zgjedhjet e ardhshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›