E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana, qytet me dy standarde, pas 8 majit do të zhvillohen të gjitha lagjet”

19-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati për kryebashkiak Lulzim Basha bën krahasimet mes dy zonave të kryeqytetit

Ndonëse qytetarët e Tiranës paguajnë të njëjtat taksa, pavarësisht zonës ku jetojnë, shërbimi që merret nuk është i njëjtë. Mjafton të shikosh zonën e ish-Bllokut dhe atë tek Kodra e Priftit për të ndjerë diferencën mes investimeve të pjesshme dhe atyre të munguara. Kjo diferencë është sjellë në vëmendjen e publikut nga Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha.
Në zonën e ish-Bllokut, Bashës i është bërë me dije se edhe në qendër të kryeqytetit është investuar vetëm në një rrugë.
“Edhe po të ishte i gjithë qyteti si blloku, prapë Bashkia do të kishte aq shumë punë sa nuk do t’i dilte koha për politikë”, i tha Bashës një banor i ish-Bllokut.
Ndërsa infrastruktura te “Kodra e Priftit”, nuk ka asgjë të përbashkët me konceptin për një lagje qyteti, ndonëse banorët e kësaj zone paguajnë të njëjtat taksa si ata që jetojnë në zonën e ish-Bllokut.
“Këtu absolutisht nuk është bërë asnjë lloj investimi, as rrugë, as kanale, të gjitha investimet që shihni këtu i ka bërë vetë komuniteti. Një shi me ra këtu, fëmijët nuk shkojnë dot në shkollë, sepse këtu përmbytet. Kanalet i pastronim vetë me dorë dje”, i tha Bashës një banor i Kodrës së Priftit.
“Shoh vazhdimisht që Bashkia e Tiranës ka dallime midis lagjeve të ndryshme. Taksat i paguajmë njëlloj, atje mbjellin blina këtu mbjellin rrepe”, tha një tjetër banor.
Kandidati për Kryebashkiak premtoi se kjo politikë me dy standarde do të marrë fund. “Taksat Bashkia i mbledh kudo njëlloj, ndërsa shërbimet i ofron vetëm në një pjesë të vogël të qytetit, madje edhe aty nuk i ofron me cilësi. Në Tiranën që do të ndërtojmë së bashku nuk do të ketë qytetarë të dorës parë, të dorës dytë apo të dorës tretë, do të ketë vetëm qytetarë të Tiranës. Kjo nuk do të reflektohet me fjalë, por do reflektohet me një shpërndarje të drejtë të shërbimeve dhe investimeve. Shpërndarje e drejtë e shërbimeve dhe investimeve do të thotë që punën ta nisim nga këto lagje të lëna në harresë, të lëna pas dore. Do ta nisim nga këto lagje, por do ta nisim me formulën e bashkëpunimit me Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe me ju si komunitet. Tirana europiane fillon me krijimin e lagjeve europiane, fillon me shtrimin e rrugëve, me ndërtimin e trotuareve sipas standardeve, me ujësjellës-kanalizime në çdo lagje, me ndriçim dhe gjelbërim”, i siguroi banorët kandidati i mazhorancës Lulzim Basha. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›