Letra/Edhe tek qasja e fushatave, lexohet paniku i socialistëve nga humbja e thellë
Fushata elektorale ka hyrë në fazat e saj më të nxehta edhe pse disa incidente e zbehen pak shkëlqim e kësaj fushate por në aspektin e përgjithshëm kjo përfaqëson një ndër fushatat më model që ka bërë Partia Demokratike. Berisha ndryshe nga kundërshtari i tij politik, po përpiqet të bëjë një fushatë pozitiviste, ku premtimet janë mëse të realizueshme dhe të bazuara në kërkesat dhe nevojat t qytetarit. Filozofia e Partisë Demokratike është të vendosë qytetarin me të gjithë problematikën dhe aspiratat në qendër të vëmendjes së politikanëve. Krejt të kundërtën po bën Edi Rama, së pari po bën një fushatë tepër negativiste e ndërtuar mbi gënjeshtra, shpifje dhe fabrikime të cilat nuk i beson askush dhe që ulin edhe imazhin e Partisë Socialiste si partia kryesore e opozitës. Me fushatën e tij të pështirë, Rama kërkon t’i shmanget figurës së Bashës, përpiqet që ta anashkalojë sepse nuk e ka kurajën që të përpallet drejtpërdrejtë me të. Kjo tregon frikë, panik nga ana kryetarit të Partisë Socialiste mbi të gjitha tregon mungesë vizioni, kurajoje për t’u përballur me hallet dhe problemet e qytetarëve te thjeshtë të Tiranës që janë anashkaluar në këto 10 vjet të qeverisjes së mbrapshtë të tij. Edhe socialistët e thjeshtë janë shumë të mërzitur që kryetari i tyre ka frikë të përballet në një debat televiziv me kandidatin e pozitës për kryetarë të Bashkisë së Tiranës. Atyre u kanë ardhur në majë të hundës kapriçiot e kryetarit të partisë së tyre, i cili lëviz sa nga një platformë e mbrapshtë në tjetrën pa i dhënë hesap askujt madje as elektoratit që e ka votëbesuar. Rama përpiqet që këtyre zgjedhjeve t’u japë një natyrë kombëtare sidomos me anë të sloganit famëkeq për të “Falin e ka Saliu”, sigurisht që nuk është e udhës që këto zgjedhje administrative të marrin këtë ngjyrim të theksuar politik pasi mund të rrjedhin pasoja të pallogaritshme dhe pikërisht fajin do ta mbaje vetëm Edi Rama si shkaktari i vetëm i kësaj super nxehje të politikës. Incidentet e para kanë filluar dhe mund të intensifikohen nëse Rama nuk ndryshon gjuhën e përdorur. Pikërisht përpjekja e Ramës për të njësuar fushatën rajonale me atë kombëtare ka krijuar konfuzion tek elektorati, i cili më shumë se kurrë është i interesuar për fushatë lokale, administrative.
Krejt të kundërtën bën Lulzim Basha, fushatën kombëtare të Partisë demokratike e bën Berisha me stafin e tij kështu që Zotit Basha i krijohet më tepër hapësirë që të merret me hallet dhe problemet e qytetarit të thjeshtë, që është më i interesuar që të dëgjojë programe të kapshme politike dhe reale. Basha po na paraqet një plan të qartë që mbështet në disa pika të rëndësishme. Njerëzit kanë çfarë të diskutojnë dhe të argumentojnë për projektin e Bashës pasi është gjithëpërfshirës ndërsa projekti i Ramës të duket shumë i varfër me ide koncepte, alternative si dhe zgjidhje. Basha pyet, dëgjon jep zgjidhje ndërsa Rama nuk pyet nuk dëgjon, jep shpjegime të sëmura të cilat as djalli nuk i kupton. Bisedat e Ramës hap dhe mbyllen me Berishën ndërsa Basha e hap bisedën me qytetarin dhe e mbyll me qytetarin. Pikërisht këtë të fundit duan qytetarët dhe jo të dëgjojnë broçkullat e pafundme apo kuturizmin e tij politik. Rama me çdo mjet apo mënyrë dëshiron të personalizojë fushatën, kjo tregon edhe njëherë frikën që ka ky njeri se mos dikushi brenda Partisë Socialiste mund t’ia grabisë pushtetin. Kjo e bën dyshues dhe përçmues ndaj çdo figure me zë në partinë e tij, duke u vetëmbyllur kështu në kështjellën e tij imagjinare duke ngelur vetëm dhe i braktisur nga të gjithë. Berisha po ndjek një strategji shumë ta avancuar po u krijon mundësi të gjithë figurave të rëndësishme të parisë së tij që të lançohen denjësisht, politikisht dhe njerëzisht. Pra aspak nuk po ekziston kompleksi i frikës nga ana e kolegëve të partisë së tij, përkundrazi po rritet më shumë se kurrë bashkëpunimi, vlerësimi dhe respekti reciprok për punën e çdonjërit. Basha po tregon një qytetari të pashembullt me një fushatë model dhe e paparë deri tani në Shqipëri ku puna e ekipit është në qendër të gjithçkaje. Asnjë fyerje asnjë kërcënim ndaj askujt tregon edhe njëherë se ky njeri rrezaton shpresë, mirësi dhe begati të cilat i kanë munguar që prej 10 vjetësh Tiranës. Basha po na prezanton një të ardhme plot mundësi për ne dhe si lexues i gazetës “55” e shoh mëse të arsyeshme që tu bëj një thirrje bashkëmoshatarëve të mi të votojnë Bashën se duke votuar atë kemi bërë një investim të sigurtë për të ardhmen tonë.