E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana, qyteti që rrezaton shpresë dhe besim anembanë kombit shqiptar”

27-11-2012 / Gazeta 55

Kreu i Bashkisë Tiranë Lulzim Basha, ceremoni të veçantë për vendosjen e Mozaikut të Flamurit Kombëtar

Tirana ka festuar 100 vjetorin e ngritjes së flamurit. Në një ceremoni të veçantë, pikërisht në vendin ku u ngrit flamuri, në prani të pasardhësve të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë është vendosur Mozaiku i Flamurit Kombëtar, i punuar tërësisht me gurë natyralë. Ky mozaik do të përjetësojë këtë akt madhor në historinë e Tiranës dhe historinë e Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij, me mirënjohjen për firmëtarët e Pavarësisë dhe ata që ngritën flamurin në Tiranë. “Sot, në këtë ditë të rëndësishme për qytetin tonë, i cili ka nisur tashmë festën që ndihet në çdo lagje, unë dua të ndalem dhe ju ftoj të ndalemi së bashku për të kujtuar me mirënjohje, respekt dhe krenari kombëtare firmëtarët e aktit të ngritjes së flamurit në Tiranë: Refik Toptani, Abdulla Gjinali, Xhelal Toptani, Sulejman Kadiu, Sheh Ahmed Pazari, Isuf Aqif Banka, Myderris Hysen Shehri, Muslim Beshiri, Selim Petrela e  Papa Nikolla Papajani. Mirënjohje për jetë për ta dhe familjet e tyre!”, theksoi Basha.
Kreu i Bashkisë e konsideroi këtë ditë si shumë të rëndësishme, pasi sot Tirana nuk është vetëm qyteti i madh i shqiptarëve por është qyteti që rrezaton shpresë dhe besim, anembanë kombit shqiptar. 
“Sot është kryeqyteti i një vendi anëtar në NATO, kryeqyteti i një vendi, qytetarët e së cilit, gjithsecili prej nesh në këto sheshe dhe rrugë mund të udhëtojë lirisht dhe pa viza në Evropën e bashkuar, është kryeqyteti i një kombi që sot feston i bashkuar, ndonëse 100 vite më parë i copëtuar. Feston i bashkuar në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, Ulqin e kudo ku ka shqiptarë. Sot Tirana, në të gjithë pikëpamjet është në pararendje të ecjes së sigurt të vendit tonë, drejt synimit tonë final, synimit të kahershëm të atyre që e ngritën flamurin këtu, 100 vite më parë, ribashkimit me familjen evropiane”, u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Në këtë ceremoni, i ardhur enkas nga SHBA ka përshëndetur edhe nipi i Refik Toptanit, personaliteti që 100 vite më parë lexoi në këtë vend deklaratën e Pavarësisë.“I them faleminderit shumë Bashkisë, që sot mua një nip i Toptanësve, më jepet rasti pas 50 viteve të uroj vendin tim për këtë festë. Uroj Bashkinë e Tiranës, ia di për faleminderit edhe Kryebashkiakut të Tiranës që organizuan për këtë 100 vjetor këtë festë të bukur, uroj edhe shoqatën ‘Tirana’, që ndonëse është një shoqatë e pavarur krijon mundësi që familjet e vjetra tiranase të shprehen këtu. I falënderoj edhe njëherë të gjithë, duke uruar: ‘Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët dhe gjithë tironsit!’”.
Autori i veprës, ish-student i dhjetorit ‘90  Gëzim Hidri e ka konsideruar këtë mozaik, homazh për të rënët për liri. “Në qoftë se u nisa të bëj atë vepër të qëndisur në mozaik, me gurë natyralë, u nisa me mendimin për të respektuar gjithashtu të parët tanë, që kanë luftuar në çdo betejë, në çdo fushë të tyre, duke mbajtur edhe penën, edhe mendjen, edhe shpatën. U nisa duke e bërë këtë flamur, duke respektuar gjithashtu edhe shtizat që qëndisën atë flamur i cili është ngritur në Vlorë, i punuar nga Marigoja, por ishte shumë domethënëse sot në Tiranë, ky flamur duhet të vendosej për të respektuar të parët, për të respektuar gjithashtu atë shpatë, atë mburojë, atë përkrenare që ndodhet sot në Tiranë, të Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, u shpreh Hidri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›