E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana shkërmoq Apoloninë



“Faleminderit Baka!” “Agustin, largo klanet!” Me këto banderola e festuan ultrasit “Fanatics” fitoren e thellë 3-0 të Tiranës kundër Apolonisë në “Selman Stërmasi” në javën e 15-të të Kategorisë Superiore, që përkoi edhe me debutimin e trajnerit të ri të bardhebluve, Agustin Kola, tekniku i nëntë zëvendësues në 12 skuadrat e Superligës deri në këto javë kampionat.
XHAFAJ – Sulmuesi i vetëm i 23-herë kampionëve, Daniel Xhafaj, në sfidën kundër fierakëve (Migen Memelli mungoi për shkak të pezullimit), dëshmoi se ishte në ditën e tij më të mirë te Tirana, duke realizuar dy gola, nga një për çdo pjesë loje: në minutat 37 e 47, duke i dhuruar avantazhin e qetësinë Tiranës për të administruar takimin në një ndeshje të zhvilluar tërësisht në reshjet e shiut. Për vlonjatin Daniel Xhafaj ky ishte goli i tretë sezonal. E ardhmja e tij te Tirana mund të rishikohet pas performancës plot grintë, duke u hequr nga lista e merkatos dimërore.
MUZAKA – Ish-mesfushori i Partizanit, Gjergji Muzaka, ende nuk e ka dhënë më të mirën e tij te bardheblutë, madje duke krijuar dyshime të mëdha nëse blerja e tij në shifra marramendëse (90 mijë euro) ia ka vlejtur apo jo. Muzaka ia doli të fitojë një penallti të akorduar nga gjyqtari Mentor Sopjani në minutën e 39-të, por topi i goditur nga futbollisti tiranas goditi traversën.
LILA- Mbrojtësi kavajas i Tiranës, Andi Lila, po shndërrohet në një faktor goli te bardheblutë. Futbollisti i Kombëtares shqiptare, i cili kishte shënuar edhe në fitoren 2-0 të Tiranës në fazën e parë në “Loni Papuçiu” (golin tjetër e shënoi Memelli) realizoi të shtunën në “Selman Stërmasi” golin e tretë për 23-herë kampionët në minutën e 64-t.
ULTRASIT – Tifozët e Tiranës ende nuk janë “zbutur” në marrëdhëniet me mesfushorin Bledar Devolli. Madje kur gjirokastriti u zëvendësua në pjesën e dytë, edhe pse rezultati ishte 3-0 për bardheblutë, ultrasit e Tiranës nuk pushuan duke thirrur: “Ik, ik!”
Në një letër të publikuar në mediat sportive, tifozët e Tiranës kërkuan me forcë largimin e mercenarëve, duke iu referuar lojtarëve të blerë gjatë merkatos verore, e në mënyrë të veçantë atyre të ardhur nga “armiku i përjetshëm”, Partizani: Tefik Osmani, Gjergji Muzaka e Bledar Devolli.
STATISTIKA – Edhe pse mori fitoren e para pas tri javësh, tri pikët kundër Apolonisë, bardheblutë vazhdojnë të jenë në vendin e dytë, pas Vllaznisë, që nga ana e saj fitoi ngushtësisht me Flamurtarin (1-0) në “Loro Boriçi”. Për Tiranën, fitorja e 7-të sezonale kundër Apolonisë ishte e 49-ta historike në 67 përballje historike, kundrejt 13 fitoreve të fierakëve (10 barazime). Në javën e 16-të Tirana do të përballet me Flamurtarin në Vlorë. Në fazën e parë Tirana fitoi 3-1, falë tre golave të Migen Memellit, i cili do të jetë në dispozicion të trajnerit Agustin Kola. Apolonia do të presë në shtëpi Partizanin, duke parë dhe diferencën midis dy ekipeve. Apolonia fitoi në fazën e parë në kryeqytet 1-0 falë golit të Klodian Asllanit.

Uniformat

Thuajse të gjitha ekipet i ndryshuan uniformat pjesët e dyta të takimeve. Kështu, Teuta luajti në pjesën e parë kundër Partizanit me uniformë krejtësisht të bardhë, ndërsa në të dytën të gjithën blu. Besa e nisi me të verdha dhe e përfundoi me të zeza. Gjyqtari Sokol Jareci e nisi me bluzë të kuqe gjykimin e ndeshjes Elbasani-Dinamo dhe e përfundoi me “xhaketë të zezë”.

Besa, fitore me “urrejtje”

Hyrja e lirë për tifozët u kompletua me një fitore e bujshme 2-0 të Besës ndaj një rivali të madh si Shkumbini, duke u hakmarrë edhe për atë humbje 1-0 të fazës së parë, të shoqëruar me incidente të shumta në dhomat e zhveshjes, përfshirë edhe një kontakt fizik midis deputetit peqinas Dashnor Sula me futbollistin Bekim Kuli e trajnerit të Besës, Ilir Daja.
Në një terren të rënduar nga shirat ishte Meglid Mihani, i cili realizoi me një kryevepër nga goditja standarde në minutën e 12-të. Ndeshja vazhdoi me momente tensioni, teksa gjyqtari Kridens Meta, në minutën e 30-të ndëshkoi me karton të kuq futbollistin e Besës, haitianin Herbi Fortunat, ashtu edhe atë të Shkumbinit, Daniel Ramazani për një konflikt midis njëri-tjetrit. Në minutën e 32-të sulmuesi vlonjat i Besës, Arbër Abilaliaj, mbylli llogaritë e ndeshjes, duke shënuar golin e dytë. Shkumbini në 15 javë ka një ekuilibër të plotë: 5 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje. Për Besën kjo ishte fitorja 14-të në 29 ndeshje historike, kundrejt 11 fitoreve të Shkumbinit.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 15, 13.12.2008

Elbasani-Dinamo 2-2
Besa-Shkumbini 2-0
Lushnja-Bylisi, 1-1
Tirana-Apolonia 3-0
Vllaznia-Flamurtari 1-0
Partizani-Teuta 0-0

RENDITJA PAS JAVËS 15
PIKË GSH GP
1 Vllaznia 31 23 12
2 Tirana 27 19 10
3 Teuta 24 12 8
4 Dinamo 23 18 11
5 Besa 22 16 15
6 Shkumbini 20 16 13
7 Flamurtari 20 11 9
8 Elbasani 20 13 12
9 Bylisi 17 10 16
10 Apolonia 12 13 24
11 Lushnja 12 11 21
12 Partizani 10 9 17

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›