Kuvendi i Kosovës do të rishqyrtojë ligjet e pakos “Ahtisari”
Deputetët kosovarë kanë bërë të ditur se do të rishikojnë dhe shqyrtojnë ligjet e dala nga plani i Marti Ahtisarit, që cilësohet dhe si dokumenti gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës. Plani do të mund t’i nënshtrohet një rishikimi në Kuvendin e Kosovës pasi, siç theksojnë deputetët, ligjet janë miratuar në pako dhe pa ndonjë shqyrtim të njëpasnjëshëm në parlament. Zyrtarët vendorë shpjegojnë se miratimi i pakos u bë në procedura të përshpejtuara dhe ka nene në ligjet e Ahtisarit që nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe aktet e tjera të larta juridike të Kosovës. Kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, deputeti Bahri Hyseni, deputet nga radhët e PDK-së, thotë se Kuvendi do të jetë i gatshëm që në çdo rast të konfliktit ndërmjet këtyre ligjeve me Kushtetutën e Kosovës t’i rikthejë ato në shqyrtim dhe harmonizim. “Do t’i përshtaten rrethanave aktuale që kemi në Kosovë. Në momentin kur këto ligje bëhen të paimplementueshme, ballafaqohen me aktet juridike, nuk mund të zbatohen, apo shihen pengesa, atëherë natyrisht që institucionet e Kosovës duhet të shikojnë mënyrat se si të dilet nga situata dhe mund të fillojë edhe çështja e plotësimit dhe ndryshimit të këtyre ligjeve, që është pak më e komplikuar. Mirëpo, mendoj se nuk është pengesë që institucionet kur i shohin se janë të pazbatueshme, t’i fillojnë procedurat për t’i ndryshuar dhe plotësuar ato”, - është shprehur Hyseni.
Kosova, thirrje EULEX-it: Mos trashëgoni metodat e UNMIK-ut
Nga EULEX-i, qeveria e Kosovës ka kërkuar që të jetë funksional në terren dhe të mos trashëgojë metodat e menaxhimit të UNMIK-ut. “EULEX-i të jetë funksional, jo vetëm prezent dhe të mos ketë një zhvendosje të statuskuosë nga UNMIK-u në një statuskuo tjetër, por të kemi një mentalitet dhe një menaxhim krejt ndryshe, i cili do të jetë ndryshe, i cili do të jetë shumë më aktiv dhe gjithmonë në konsultim dhe në bashkëpunim të plotë me institucionet e Kosovës dhe me një pëlqim paraprak për vendimet që marrin”, - u shpreh në mbledhjen e qeverisë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai shprehu besimin se EULEX-i do të funksionojë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe jo sipas Rezolutës 1244.
“EULEX-i funksionon në bazë të ftesës që kemi bërë ne. Ne i kemi dhënë mandat dhe në një farë mënyre i kemi dhënë një pjesë të sovranitetit që na takon neve. Funksionon në bazë të akteve juridike kushtetuese dhe do të ketë mbështetjen e plotë në këtë drejtim. Kushdo që bën veprime kundërkushtetuese nuk do të ketë mbështetjen tonë”, - theksoi Kuçi.
14 Dhjetor 2008