E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurorja e Illinoisit kërkon shkarkimin e guvernatorit Blagojeviç



Kryeprokurorja e Illinoisit, Lisa Madigan, i kërkoi gjykatës së lartë të shtetit që të shkarkojë nga detyra guvernatorin Rod Blagojeviç, pas arrestimit të tij nën akuza për korrupsion. Pas kërkesës së Presidentit të sapozgjedhur amerikan, Barak Obama, kjo është shuplaka e dytë për guvernatorin me origjinë serbe të Illinoisit. Prokurorja e Përgjithshme, Lisa Madigan, tha dje se guvernatori nuk mund t’i përmbushë më me legjitimitet detyrat prandaj ajo ka depozituar një mocion ku i ka kërkuar gjykatës që ta heqë atë përkohësisht nga detyra. Madigan thotë se e paraqiti mocionin për ta hequr nga detyra, duke thënë se ai nuk është në gjendje të shërbejë në detyrë. Ajo është shprehur se këto hapa nuk shmangin nevojën për proces gjyqësor apo për shkarkim të tij.
Blagojeviç u arrestua të martën dhe akuzohet se është përpjekur të marrë ryshfet në këmbim të caktimit të një kandidati për vendin e senatorit që kishte Presidenti i zgjedhur Barak Obama.
Obama thotë se nuk kishte rol në këtë skemë dhe i ka bërë thirrje guvernatorit të japë dorëheqjen.

Projektmarrëveshja energjetike me Rusinë përçan qeverinë serbe

Një projektmarrëveshje prej miliarda dollarësh mes Serbisë dhe Rusisë ka shkaktuar përçarje në koalicionin qeveritar serb. Zëvendëskryeministri i Serbisë Ivica Daçiç dhe Partia e tij Socialiste janë pro idesë që vendi t’i shesë Rusisë kompaninë kombëtare energjetike pa garanci nga Moska, se rusët do të ndërtojnë një tubacion energjie përmes Serbisë. Por, ministri i Ekonomisë Mlladjan Dinkiç dhe anëtarët e partisë së tij G-17 u tërhoqën nga ekipi negociues në shenjë proteste ndaj projektmarrëveshjes. Ata kërkojnë që Rusia të japë garanci për ndërtimin e një tubacioni në të ardhmen. Por, zoti Daçiç tha se Beogradi nuk mund të rrezikojë të humbasë mbështetjen e aleates së tij politike si rezultat i kërkesave të tilla. Në bazë të marrëveshjes që u bë publike disa muaj më parë, Serbia do t’ia shesë paketën kontrolluese të monopolit të saj të naftës NIS gjidantit rus të gazit natyror, Gazprom.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›