Të çojmë më tej traditën e pasur në kulturën e shkruar
U çel ditën e mërkurë në Ulqin, Panairi i Dhjetë i Librit, i cili do të qëndrojë i hapur deri në datën 4 gusht. Të ftuar në ceremoninë e hapjes ishin dhe ministrat e Kulturës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj u shpreh se ky aktivitet, përpiqet të promovojë me cilësinë e duhur si vlerat më përfaqësuese të letërsisë bashkëkohore dhe asaj të traditës edhe resurset turistike dhe objektet më në zë të trashëgimisë kulturore. Sipas tij, koha e zgjedhur dhe vetë mënyra e organizimit të panairit bën prezent një koncept tashmë të përbashkët rajonal, që e lidh ngushtësisht kulturën me turizmin si një mundësi që do të krijojë më shumë hapësira për mbështetje për vetë kulturën. “Ne bashkërisht përpiqemi të ecim dhe çojmë më tej një traditë të pasur në kulturën e shkruar që sikurse është shprehur edhe shkrimtari i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare, “letërsia e madhe europiane ka lindur në gadishullin ballkanik’”, u shpreh ai. Në panair, përveç botuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e Bosnja. Mbi 60 botues do të jenë pjesëmarrës në këtë edicion ku do të ofrojnë për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilat mbi 500 janë tituj të rinj. Në këtë edicion do të jenë të ftuar të veçantë shkrimtari Besnik Mustafaj dhe një shkrimtar i njohur i Malit të Zi.
#