E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liban, Suleiman zgjidhet President i ri

Gjenerali kristiano-maronit, Michel Suleiman, është zgjedhur dje pasdite nga Parlamenti, President i ri i Libanit. Te momenti i zgjedhjes së shefit aktual të ushtrisë në postin e Presidentit, është arritur pas një marrëveshjeje të disa ditëve më parë, mes fraksioneve të ndryshme politike, që i ka dhënë fund një krize të filluar që në nëntor 2006 me daljen e ministrave shiitë nga qeveria. Suleiman ka marrë 118 vota pro, një mazhorancë e gjerë kjo nëse merret parasysh se parlamentarët e pranishëm në sallë ishin 127. Fletë votimi të bardha ishin gjashtë, ndërsa tre deputetë kanë votuar emra të tjerë. Mbi emrin e gjeneralit në fakt ekzistonte konsensusi prej kohësh, por kriza dhe përleshjet në rrugët e vendit kishin bërë që zgjedhjet të shtyheshin për 19 herë. Televizioni vendas, LBC, ka transmetuar drejtpërsëdrejti numërimin e votave. Në përfundim të numërimit, Presidenti i Parlamentit Nabih Berri, ka shpallur gjeneralin Suleiman, President të Republikës. Zgjedhja është pritur në qytet me të shtëna në ajër dhe me festime. Michel Suleiman do të jetë Presidenti i 12 i vendit që pas pavarësisë së fituar në 1943-shin, dhe i treti që pas përfundimit të luftës civile të viteve ‘90-të. Do të jetë po ashtu edhe ushtaraku i tretë që do të marrë këtë detyrë, pas Fouad Chebab, në vitet gjashtëdhjetë dhe Emil Lahoud, mandati i të cilit skadoi 23 nëntorin e shkuar. Nën udhëheqjen e tij, ushtria mbeti e bashkuar dhe neutrale, edhe gjatë tensioneve që pasuan vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri në një atentat. Suleiman nuk ka ndërhyrë po ashtu as gjatë manifestimeve antisiriane që kanë çuar në tërheqjen e trupave të Damaskut, e as nuk ka kundërshtuar rolin e milicive të Hezbollahut gjatë luftës me Izraelin në verën e vitit 2006. Ushtria ka mbetur madje neutrale edhe gjatë krizës politike të 18 muajve të fundit, që ka vënë ballë për ballë mazhorancën properëndimore e antisiriane të qeverisë së Fouad Siniorës, dhe opozitën e lidhur me Damaskun, të udhëhequr nga partia e Hezbollahut. Një prej frazave të tij të preferuara, është: "Shteti ekziston, sepse ushtria është gardiania e strukturës së shtetit". Sipas marrëveshjes së fundit, opozita do të ketë fuqinë e vetos në një kabinet të ri të Unitetit Kombëtar. Korrespondentët thonë ndërkohë se çështje të tjera delikate, me të cilat do të përballet qeveria, janë edhe statusi i armatimeve të Hezbollahut dhe bashkëpunimi me Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për vrasjen e Kryeministrit Hariri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›