E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrikë e Jugut, të huajt, në arrati pas akteve të dhunës

Kryqi i Kuq në Afrikën e Jugut thotë se po ndihmon afro 25 mijë imigrantë afrikanë të prekur nga dhuna që ka përfshirë vendin në dy javët e fundit. Policia tha se ka pasur disa incidente të dhunshme të shtunën, por situata në përgjithësi është më e qetë. Disa dhjetëra mijëra vetë marshuan në Johanesburg për të protestuar kundër dhunës, duke mbajtur parulla ku shkruhej "Ksenofobia të vret ashtu si dhe aparteidi". Të paktën 50 vetë janë vrarë në atë që ka qenë dhuna më e ashpër ndaj të huajve në Afrikën e Jugut që nga dhënia fund e aparteidit. Në fakt, dhuna kundër të huajve është përshkallëzuar kohët e fundit në Afrikën e Jugut dhe si pasojë, me mijëra emigrantë janë detyruar të arratisen, të kthehen në vendet e tyre. Në origjinë të kësaj dhune ishte pretendimi se të huajt po "rrëmbenin" vendet e punës dhe kanë rritur kriminalitetin. Por në të kundërtën, shumë njerëz vinin në Afrikën e Jugut, në kërkim të një jete më të mirë. Gjithsesi, qeveria afrikanojugore është vënë nën kritika për reagimin e saj të ngadaltë ndaj dhunës, më e keqja që pas përfundimit të aparteidit, 14 vjet më parë. Presidenti Thabo Mbeki ka apeluar për qetësi. "Sot, ne po përballemi me një fatkeqësi, pasi kemi një grusht njerëzish në komunitetet tona që vendosin të kryejnë krime kundër afrikanëve të tjerë", tha ai. "Kjo është diçka kundër së cilës ne duhet të reagojmë me vendosmëri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›