Ambasadorja Holtkemper: Rivotimi në Tiranë? Nuk zgjidh krizën
Diplomatja gjermane në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper, deklaron se nuk mbështet idenë e rivotimit në kryeqytet. Ambasadorja ishte dje në Kukës, ku ndër të tjera dha vlerësimet e saj për procesin zgjedhor. Ajo theksoi se për fletët e hedhura në kutitë e gabuara në 200 shtetet e botës, nuk ka dëgjuar se janë marrë të vlefshme dhe janë futur në rezultatin zgjedhor. “Përsa na përket ne, ngelet ende i hapur procesi, për shkak se kryetari i bashkisë ende nuk është shpallur. Ky post mbetet ende i lirë, pa përcaktuar ende fituesin. Nuk dua të bëj komente në këtë fazë të këtij procesi”, u shpreh ajo. Përsa i përket pjesës tjetër të vendit, tha Holtkemper, nga sa kam dëgjuar nga vëzhguesit gjerman afatgjatë dhe afatshkurtër, këto kanë qenë zgjedhjet më të mira ndër 20 vitet e fundit. Duke komentuar situatën me votimet në Tiranë dhe vendimin e pritshëm të Kolegjit Zgjedhor, ambasadorja tha se “kam dëgjuar se do të mblidhet të premten dhe ata do të vendosin në mënyrë ligjore për këtë çështje. Ne kemi një shqetësim për sa i përket vendimmarrjes, megjithatë procesi është i parë, është ai që vjen në radhë të parë. Përsa na përket neve, Komunitetit Europian dhe partnerëve ndërkombëtarë, jemi të gatshëm ta ndihmojmë Shqipërinë atëherë kur na kërkohet”. Pyetjen nëse duhet që zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës të përsëriten për të nxjerrë vendin nga kriza, ambasadorja ju përgjigj që gjithçka duhet të zgjidhet nga organet ligjore të caktuara. “Përsa më përket mua, mendoj se është Kodi Zgjedhor ai që duhet t’i japë përgjigje gjithë situatës. Unë mendoj se nuk do të ishte e arsyeshme që të përsëriteshin zgjedhjet sepse kjo nuk mund ta nxirrte vendin nga kriza e thellë politike”, insistoi Holtkemper. Në lidhje me vendimet e marra nga KQZ, ambasadorja theksoi se “duke qenë se është një proces i hapur, proces i papërfunduar, nuk mund të jap ende një mendim në lidhje me vendimet e marra, por theksoj edhe njëherë se ky është një proces shqiptar”.