E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana triumfon në Krujë, Teuta merr kreun e Superligës

TIRANE- Tirana ka marrë një fitore të pabesueshme në Krujë, duke mundur 3-2 Kastriotin në një ndeshje që mendohej tepër të vështirë. Minutat shtesë kanë qenë fatale për skuadrën krutane, që edhe pse ka luajtur mjaft mirë, është ndëshkuar nga një gol i mbrojtësit Dushku në minutën e 92-të.

Dy skuadrat kanë qenë shumë të kujdesshme në fillimin e sfidës, ndërsa 4 minuta para fundit të pjesës së parë, Turdiu ka fituar një penallti, që është shndërruar në gol nga sulmuesi Inkango. Në pjesën e dytë, reagimi i Tiranës ka qenë i shpejtë. Bekim Bala barazoi shifrat vetëm 3 minuta nga starti i saj, ndërsa Gilman Lika i ka dhënë avantazhin skuadrës kryeqytetase me një goditje të bukur nga jashtë zone. Megjithatë, Kastrioti nuk është dorëzuar dhe 12 minuta para fundit, ka barazuar shifrat në 2-2, sërish me anë të Inkango. Vendasit më pas kanë besuar se mund të fitonin, duke lënë jo pak hapësira mbrapa. Tirana ka përfituar dhe në minutën e 92-të ka gjetur golin e triumfit, me anë të lezhjanit Dushku.

Në takimet e tjera, Teuta ka mundur 1-0 Flamurtarin në Durrës, duke marrë kryesimin e Superligës me 6 pikë të plota pas dy ndeshjesh. Goli vendimtar i kësaj ndeshjeje është shënuar sërish në kohën shtesë, me anë të elbasanasit Hyshmeri. Edhe pse u realizua vetëm një gol, sfida ka dhuruar emocione të shumta. Ndërkohë, Shkumbini mundi 2-0 Apoloninë, ndërsa tri pikë mori edhe Pogradeci, që mposhti 1-0 në shtëpi Tomorin e Beratit. Java e dytë do të mbyllet të dielën me ndeshjen Dinamo-Skënderbeu.
(Altin Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›