E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana vazhdon lobimin

Republika e Shqipërisë vazhdon të lobojë në çdo moment për njohje të reja të Republikës së Kosovës dhe mbështet fuqimisht të gjithë aktivitetin diplomatik të Republikës së Kosovës, jo vetëm në favor të njohjeve të reja, por edhe rrugën e saj të konsolidimit të shtetit të ri, gjë që i shërben paqes dhe sigurisë në rajon, ka deklaruar zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, në një konferencë shtypi, në Tiranë.

“Shpresoj që shumë shpejt të kemi edhe njohje të tjera dhe këto njohje të reja të jenë jo vetëm ndër pesë shtetet që kanë mbetur nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe nga vende të tjera, të cilat janë pjesë e OKB-së”, ka theksuar ajo.

Diplomatja shqiptare ka përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. “Kjo është një arritje tjetër e shtetit më të ri në botë, që është Kosova, në rrugëtimin e tij drejt vendosjes, jo vetëm të marrëdhënieve diplomatike, por edhe njohjeve të reja. Lidhja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është shumë domethënëse për rajonin, dhe për Ballkanin në përgjithësi, për vetë faktin që tashmë Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me tre nga vendet që e rrethojnë, që i ka fqinjë të drejtpërdrejtë në rajon, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi”, ka theksuar Harxhi.

Ajo e ka vlerësuar lart qëndrimin e Spanjës, kryesuese e radhës në Bashkimin Evropian, që edhe Kosova të jetë pjesëmarrëse në Konferencën e vendeve të Ballkanit në Sarajevë, që do të zhvillohet pas disa muajsh. “Është një tjetër arritje e madhe dhe zhvillim tjetër në dobi të paqes në rajon dhe më gjerë”, ka hënë Harxhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›