E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinodi nxjerr 55 propozimet përfundimtare për Benediktin XVI

Dje ishte dita përfundimtare për Sinodin e ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit në jetën e në misionin e Kishës. Paradite, në Kongregacionin e 23-të të përgjithshëm, Etërit sidonalë miratuan 55 propozime përfundimtare. Dokumenti, hartuar në gjuhën latine, iu dorëzua Atit të Shenjtë, i cili do ta përdorë për hartimin e Këshillimeve pas-sinodale. Gjithsesi, Papa autorizoi botimin në gjuhën italiane të bocës së përkohshme të propozimeve. Sot në orën 9. 30 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Ati i Shenjtë do të kryesojë Meshën Shenjte përfundimtare të Asamblesë së XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit. Ndërmjet 55 propozimeve, vendin kryesor e zë domosdoshmëria e përhapjes edhe inkulturimit të Biblës ndërmjet mbarë popujve të tokës. Një detyrë kjo, për realizimin e së cilës mund të ndihmojnë fuqimisht familjet, misionarët e mjetet e komunikimit shoqëror, pa harruar edhe përkthimet, gjithnjë më të nevojshme, të Biblës, në gjuhët vendase. U ripohua lidhja e Fjalës së Zoti me liturgjinë, rëndësia e homelive të frymëzuara nga Fjala hyjnore; u fol për hartimin e një ‘Drejtuesi për homelitë’, që t’i ndihmojë predikatarët; për aktivizimin e grave në katekizëm; për rëndësinë e Liturgjisë së orëve; për kapërcimin e dualizmit ndërmjet ekzegjetëve e teologëve; për të rinjtë, meshtarët e baritorinë e shëndetit. U theksua posaçërisht se kumtimi i Lajmit të mirë është detyrë e gjithë të pagëzuarve, ndërsa ripohohet lidhja ndërmjet Fjalës së Hyjit e Artit liturgjik, sidomos në kisha, si dhe lidhja e Fjalës së Hyjit me kulturën, duke pasur parasysh se Fjala hyjnore mund ta ndihmojë shumë shkencën në zbulimet e saj.
Pastaj, Missio ad gentes - misioni ndërmjet popujve, me pohimin se Kisha duhet të takohet me të gjithë e të vijojë të mbrojë të drejtën e lirisë së njerëzve për të dëgjuar fjalën e Zotit, edhe me rrezikun e persekutimit. Pastaj tema e dialogut me hebrenjtë, me myslimanët e me fetë e tjera, dialog që duhet mbështetur mbi platformën e përbashkët të Biblës e duhet radhitur në kontekstin e lirisë fetare e të respektimit të të drejtave të burrit e të gruas. Shumë propozime edhe për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, duke falënderuar Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I për praninë e tij në Sinod, si dhe një thirrje për mbrojtjen e gjithësisë.
Komenti i Atë Federiko Lombardit: Të krishterët e dëbuar”/Drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, në reflektimin e fundjavës, vë në qendër të vëmendjes të krishterët e dëbuar të Irakut e të Indisë, duke u bërë thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë të rikujtojnë një të vërtetë sa hyjnore, aq edhe njerëzore: “Në emër të Zotit nuk duhet vrarë as urryer, por duhet dashur e respektuar çdo njeri”. “Gjendja e të krishterëve në Irak - ashtu si ajo në zona të ndryshme të Indisë – është një rast i rëndë emergjence, që kërkon vëmendjen dhe solidaritetin e mbarë Kishës. Natyrisht i gjithë populli irakian, e jo vetëm bashkësitë e krishtera, po vuan pasojat e dhjetra viteve të regjimit shtypës, të luftës së mbrapshtë dhe të pështjellimit politik e shoqëror, që e pason, por bashkësitë e lashta të krishtera të vendit tani po i nënshtrohen një presioni sistematik, të bërë me qëllim, përmes një sërë aktesh dhune e kërcënimesh, që ndjekin njëri-tjetrin. Rasti i Mosulit javët e kaluara është bërë paradigmatik. Dokumentimi, i realizuar nga insitucionet humanitare dhe agjensitë e shtypit të pavarur, tregon se veprimtaria kërcënuese nga ana e grupeve islamike esktremiste zhvillohet rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi, me përhapjen e trakteve, përmbatja e të cilave tingëllon si përçartje: “Zhdukuni nga shtëpia e nga qyteti brenda 24 orëve, në se nuk doni të merrni dënimin e merituar e të vriteni, sipas urdhërit që jep feja islamike, për ata që nderojnë kryqin”.
Është e domosdoshme që grupet fanatike fondamentaliste të luftohen me vendosmëri. Duhet që të gjithë njerëzit e paqes, edhe në botën myslimane, t’i kundërvihen me forcë e kthjelltësi kësaj dhune të tmerrshme kundër të drejtave themelore të njeriut. Urojmë që nismat e dialogut me botën myslimane, në vazhdën e hapur nga Gjon Pali II e të vijuar nga Benedikti XVI, të kontribuojnë për të pohuar gjithnjë më vendosmërisht se në emër të Zotit nuk duhet vrarë as urryer, por duhet dashur e respektuar çdo njeri".
Raporti për lirinë fetare: shkelje të rënda në më se 60 vende të ndryshme të botës/Janë më se 60 vendet, në të cilat regjistrohen shkelje të rënda të lirisë fetare. Këtë e mësojmë nga Raporti 2008 i Lëvizjes kishtare “Ndihmë për Kishën që vuan” , i cili u paraqit sot paradite në Romë. I përkthyer në gjashtë gjuhë të ndryshme, libri doli në të njëjtën kohë në Itali, Francë, Spanjë e Gjermani. Vendin e parë për shkeljen e së drejtës themelore të lirisë fetare e zë Azia, kontinent në të cilin në 12 vende kufizohet në kulm liria fetare. Por “pa liri fetare në botë nuk mund të ketë demokraci”. Kështu u shpreh drejtuesi i Lëvizjes‘Ndihmë për Kishën që vuan’, Atë Joakin Aliende. Lëvizja - nënvizoi rregulltari - merret me të gjitha shkeljet e të drejatve të njeriut, pavarësisht nga feja e viktimave. Prandaj në Raport gjejmë një panoramë globale të botës e të feve, që praktikohen në botë. Në plan të parë theksohet situata në Irak ku, sipas saktësimit të gazetarit Kamil Eid, që nga fundi i shtatorit të kaluar më se dymijë familje të krishtera janë detyruar të braktisin Mosulin e të strehohen në Ninive, për shkak të persekutimeve .
Ndërkaq, me ligjin kundër blasfemisë, situata keqësohet edhe në Paksitan. Nën dritën e reflektorëve të mediave, kohët e fundit është edhe India, ku në shumë shtete vijon persekutimi i të krishterëve nga fondamentalistët hinduistë. Ky persekutim – sipas Atë Çervelerës – shfrytëzohet e subvencionohet nga njerëz që dëshirojnë t’i mbajnë popullsitë e këtyre viseve në gjendje skllavërie. Vijon diskriminimi i disa feve në Kinë. Mjafton të mendohet për situatën në Tibet. Në raport nënvizohet se krishterimi është në rritje të vazhdueshme, me një shtesë prej 40 milion besimtarësh. Kujtojmë se në botën e sotme numërohen përafërsisht 1 miliard e 999 milionë e 838 mijë të krishterë, nga të cilët 1 miliardë e 057milionë e 328 mijë e 093 katolikë si dhe 1 miliardë e 88 milionë e 789 mijë myslimanë, në mes të një popullsie botërore prej 6 miliard e 55 milionë banorësh. Nuk ka ndryshime në Korenë e Veriut, ku shkelen rëndë të drejtat e budistëve e të të krishterëve. E vetmja rreze drite është një farë hapjeje për veprimtarinë e Kishës katolike si dhe për misionarët protestantë, që mund të hyjnë më lehtë në vend, përmes organizatave humanitare. Për t’u shqetësuar edhe situata në Indonezi, ku kërcënimi më i madh është ai i terrorizmit - e në Nigeri, posaçërisht në shtetet ku është në fuqi ligji i Sheriatit. Po si është e mundur që bota të mos i kushtojë vëmendjen e duhur lirisë fetare, e cila është në bazë të të gjitha të drejtave të tjera e sidomos, si mund të mbrohet kjo liri? Elvira Ziton e zyrës së shtypit të “Ndihmë për Kishën që vuan” thotë: “Sigurisht ka vëmendje të pamjaftueshme, sepse ndoshta kjo e drejtë është shikuar për shumë vjet si e dorës së dytë. E vetëm në vitet e fundit, edhe për shkak të situatave aktuale që vërehen në nivel botëror, po i kushtohet një vëmendje më e madhe kësaj teme. Ajo që mund të bëjë secili nga ne, është kryesisht ta njohë situatën. Këtë qëllim ka ky Raport. Veç kësaj ‘Ndihmë për Kishën që vuan’, lëvizje e cila prej 60 vjetësh realizon një numër të madh projektesh në ndihmë të Kishës së persekutuar, nuk mund të mos nënvizojë rëndësinë e ndërhyrjeve konkrete, në mënyrë që të krishterët e lirë, dmth ata që jetojnë në atmosferën e lirisë fetare, të japin ndihmesën e tyre për të lehtësuar vuajtjet e atyre, që nuk e gëzojnë ose që u mohohet plotësisht kjo liri e kjo e drejtë”.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›