Tiranë, 40-vjeçarit i çajnë fytin në lokal
Plagoset rëndë Ilir Qehajaj, policia shpall në kërkim Armand Kapajn.
Përleshja pranë Librit Universitar, në kërkim autori.
Një 40-vjeçar u plagos rëndë pasditen e djeshme teksa ndodhej në një restorant pranë Librit Universitar, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Policia tha se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt i çastit, siç dyshohet, për shkak edhe të konsumimit të tepërt të pijeve alkoolike. Protagonistë të ngjarjes, sipas Policisë, janë shtetasit Ilir Qehajaj dhe Armand Kapaj, të cilët ndodheshin në tavolina ngjitur me njëri-tjetrin. Sherri i nisur fillimisht me fjalë ka degraduar në thyerje shishesh e gotash në lokal e në përleshje të dhunshme. Me një gotë të thyer në duar, i dyshuari për ngjarjen, Armand Kapaj, i cili është shpallur në kërkim, ka goditur në pjesën e qafës Ilir Qehajajn, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja është denoncuar në polici nga punonjësit e lokalit, të cilët janë përpjekur ti japin ndihmën e parë të dëmtuarit, duke e transportuar me një makinë të rastit në Spitalin Ushtarak. Dëshmitarët thanë se i plagosuri ishte në rrezik, pasi kishte gjakderdhje. Në këtë kohë, autori i dyshuar i ngjarjes ka shfrytëzuar rrëmujën e krijuar në lokal për tu larguar nga vendi i krimit, por është identifikuar nga policia, e cila e shpalli atë në kërkim. Burimet nga Policia thanë se kanë nisur hetimet për zbulimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe po punohet për kapjen e autorit. Ndërsa i plagosuri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe sipas mjekëve, fillimisht gjendja e tij shëndetësore ka qenë mjaft kritike për shkak se kishte humbur shumë gjak. Pas operacionit mjekët thanë se 40-vjeçari Qehajaj është stabilizuar, por po mbahet nën kontroll në reanimacion, në terapi intensive. Gjithashtu, mjekët pohuan se gjendja e tij është delikate, por jashtë rrezikut për jetën. Policia e Komisariatit Nr. 2 dhe oficerët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit kanë kryer veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe mjetin që është përdorur për plagosjen e 40-vjeçarit, baba i dy fëmijëve. Gjithashtu, policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje dëshmitarët okularë të ngjarjes, që janë punonjës të lokalit, klientë, si dhe miqtë respektivë të të dëmtuarit dhe të plagosurit, që ndodheshin në tavolina me ta deri në momentin e ngjarjes. Sipas dëshmitarëve, të dyja palët kanë qenë në lokal për më shumë se dy orë dhe kishin konsumuar birra. Në momentin kur nisi sherri mes tyre, edhe i plagosuri, edhe autori ishin në gjendje të dehur. Gjithashtu, dëshmitarët kanë thënë në polici se nuk ka pasur ndonjë motiv serioz që ngjarja të përfundonte në këtë formë, përveç fyerjeve të ndërsjella që kanë vazhduar për disa minuta para përleshjes së dhunshme.
ETLEVA DELIA