Borxhet, burri vret të shoqen me çifte

Banorët e fshatit te banesa ku ndodhi krimi
Konfliktet mes bashkëshortësh për shkak të borxheve çojnë në krim brenda familjes. Burri vret me armë zjarri gruan dhe më pas mohon krimin, duke aluduar në një vetëvrasje të mundshme të saj.
Policia e Lushnjës bëri të ditur se krimi brenda familjes ndodhi në fshatin Çermë-Pasha të komunës Çermë. Laje Sina, nënë e katër fëmijëve, është vrarë rreth orës 23:55 në banesën e saj. Krisma e armës është dëgjuar nga bashkëfshatarët dhe të afërmit e çiftit Sina. Ata kanë shkuar drejt banesës që ndodhet në afërsi të rrugës kryesore të fshatit, por e veçuar nga shtëpitë e tjera. Banorët kanë mbetur të shtangur kur e kanë gjetur 52-vjeçaren pa jetë, të mbuluar me gjak. Ndërsa bashkëshorti i saj iu ka komunikuar paraprakisht të afërmve, në gjendje mjaft të tronditur psikologjike, se e shoqja ishte vetëvrarë në kushtet e një depresioni të rëndë që po kalonte në ditët e fundit. Në vendin e ngjarjes mbërriti policia dhe specialistët e grupit hetimor. Bazuar te mënyra e vrasjes dhe prova të tjera të gjetura në vendngjarje, hetimorët dyshuan se viktima mund të ishte qëlluar dhe jo të kishte vrarë veten. Pas kësaj, ata kanë shoqëruar në mjediset e Komisariatit Lushnjë bashkëshortin e saj 60-vjeçar, shtetasin Shaziman Sina. Ai është marrë në pyetje, por sipas burimeve, nuk e ka pranuar akuzën e vrasjes, duke pretenduar se e shoqja ishte vetëvrarë. “Pas hetimeve është arrestuar shtetasi Shaziman Sina, 60 vjeç, lindur dhe banues në Çermë-Pasha, Lushnjë. Arrestimi i tij u bë për veprën penale të “vrasjes”, pasi dyshohet se më 18 prill, rreth orës 23:55, ka vrarë për motive të dobëta me armë gjahu çifte në banesën e tij bashkëshorten L.Sina, 52 vjeçe, lindur në Hoxhaj, Elbasan dhe banuese në Çerme-Pasha Lushnjë. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë gjahu (çifte) tip ciloklorie, të cilën autori e kishte me leje”, bëri të ditur Policia.
Grupi i hetimit ka marrë në pyetje edhe të afërm të familjes Sina. Ata kanë pohuar se kohët e fundit bashkëshortët grindeshin shpesh me njëri-tjetrin. Katër fëmijët e tyre ishin emigrantë në Greqi, por për shkak të gjendjes financiare jo të mirë që kishin në shtetin grek, ata nuk kishin mundësi të ndihmonin financiarisht prindërit e tyre në fshat. Këta të fundit, rreth një vit më parë kishin përfunduar së ndërtuari një shtëpi të vogël. Por, për ndërtimin e saj kishin marrë një shumë të konsiderueshme parash. Madje, banorë të fshatit bënë të ditur se ata kishin hyrë në borxhe rreth katër vite më parë, të cilat deri më sot nuk kishin arritur që t’i shqyenin. Në këto kushte të vështira ekonomike që po kalonin, kishin nisur konfliktet e vazhdueshme mes tyre.
FAMILJA
Fëmijët e bashkëshortëve Sina jetonin prej shumë vitesh në Greqi. Sipas të afërmve të viktimës, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike të tyre në shtetin fqinj, ata nuk kishin mundur të ndihmonin prindërit e tyre. Këta të fundit kishin nisur një shtëpi njëkatëshe rreth katër vite më parë, dhe që prej asaj kohe ata kishin marrë borxhe te të afërmit, pa mundur t’i shlyenin më ato. Banorët kanë deklaruar për grupin e hetimit se çifti kishte pasur konflikte të vazhdueshme gjatë muajve të fundit.