Tiranë, 10 vjet burg ish-policit, vrau gruan
TIRANE Gjykata e Tiranës dënoi dje me 16 vjet burg një 40-vjeçar të akuzuar për krim brenda familjes. Ismet Hysa, ish-polic privat, u shpall i fajshëm nga gjykata për vrasjen me dashje të bashkëshortes së tij, J. Doçi. Kjo ngjarje u shënua në nëntor të vitit 2011 në Tiranë, ditën e festës së Kurban Bajramit. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri Hysa përfitoi uljen e një të tretës dhe përfundimisht do të kryejë dënimin me 10 vjet e 8 muaj burg. Vendimi në fjalë u shpall nga një trupë gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ismet Hysa për kryerjen e veprës penale të vrasjes me dashje, thuhej në dispozitivin e vendimit. Sipas të njëjtit vendim, Hysa u deklarua i fajshëm edhe për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve. Krimi në familjen Hysa u shënua më 6 nëntor të vitit të kaluar, në katin e parë të një vile pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë, ku çifti jetonte me qira që prej 6 muajsh. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Hysa qëlloi me thikë duke lënë të vdekur bashkëshorten e tij 24-vjeçare J. Doçi. Motivet e krimit, sipas organit të akuzës, ishin ato të xhelozisë. Prej disa kohësh ai kishte pasur grindje të vazhdueshme me të ndjerën për shkak të punës së saj. Pas krimit ai la në kujdestarinë e disa të afërmve të tij në Kodër Kamzë vajzën dyvjeçare dhe vetë u largua te shtëpia e prindërve të tij në fshatin Luzhë të Tropojës. Lokalizimi i vendndodhjes së tij u mundësua përmes antenave të telefonive celulare. Pas disa negociatave me punonjësit e Policisë, ai u vetëdorëzua më 10 nëntor 2011. ar.ba