E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet me armën e punës gardiani i Burgut të Bënçës

Një e shtënë poshtë nofullës i merr jetën gardianit të Burgut të Bënçës, Ylli Elmazaj. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 17:30, në banesën e viktimës, në lagjen “15 Shtatori” në Tepelenë. Sipas kolegëve të tij, babai i tre fëmijëve ishte vetëvrarë në kushtet e një gjendjeje të rënduar psikologjike. Ata kanë qenë të parët që e gjetën trupin pa jetë, në katin e parë të një pallati ku Elmazaj jetonte i vetëm. Sipas Policisë, 46-vjeçari i ka dhënë fund jetës me armën e punës, një pistoletë tip “TT”.
Viktima duhej të kishte filluar punën dje rreth orës 14:00. Vonesa e tij për në Burgun e Bënçës, ku punonte si gardian, shqetësoi drejtuesit e institucionit dhe kolegët e tij. Këta të fundit deklaruan se i kanë telefonuar disa herë përgjatë gjithë drekës, deri pasdite, por Elmazaj nuk ua kishte hapur telefonin. “Thirrjet tona i kthente me mbyllje. Ne i telefononim dhe ai vetëm e mbyllte. Nuk kishte ndodhur më parë ky veprim, ndaj na shqetësoi”, u shprehën kolegë të tij. Dy prej tyre, duke parandier se dika mund të kishte ndodhur, me lejen edhe të drejtorit të Burgut të Bënçës, Qamil Xhelili, u nisën për në Tepelenë. Aty ata janë ndeshur me një grumbull njerëzish, kryesisht adoleshentë, të cilët qëndronin jashtë portës hyrëse të apartamentit të Elmazajt. Pak para se të mbërrinin kolegët e 46-vjeçarit, ata kishin dëgjuar një të shtënë arme. Zhurma ka ngjallur shqetësim tek ta. Bashkë me një të moshuar, Sanije Demaj, banore e lagjes, ata insistuan të hapnin portën e banesës nga ku u dëgjua e shtëna e armës. Në këtë moment kanë mbërritur edhe dy kolegët e turnit të Ylli Elmazajt. Ata shqyen portën hyrëse me dru dhe xhama, e cila ishte e mbyllur me çelës dhe më pas hynë. Aty gjetën në shesh trupin e pajetë të Elmazajt, i cili në njërën dorë kishte ende armën. Grupi hetimor mbërriti në vendngjarje për të verifikuar nëse ka qenë vrasje apo vetëvrasje dhe pas inspektimit dhe provave balistike në trupin e 46-vjeçarit, u verifikua se ai kishte kryer një qitje të vetme në pjesën e poshtme të nofullës. Predha e plumbit të pistoletës kishte ndalur në anën e djathtë të trurit. Policia sinjalizoi familjen e tij, e cila jetonte në Ballsh. Mësohet se Ylli Elmazaj ishte baba i tri vajzave me moshë nga 6-18 vjeç dhe prej tri vitesh punonte në Burgun e Bënçës, pas një transferimi të padëshiruar. Një prej kolegëve të tij, i cili nuk pranoi të identifikohej, u shpreh se muajt e fundit Elmazaj kishte shfaqur tendenca të theksuara tronditjeje psikologjike. Madje, sipas tij, 46-vjeçari kishte nisur të konsumonte edhe alkool. Kolegët e tij u shprehën se Elmazaj po e përjetonte mjaft keq edhe sëmundjen e një prej fëmijëve të tij. Veç kësaj, ai kishte probleme të tjera sociale familjare, ndërsa gjendja ishte përkeqësuar edhe nga një largim i mundshëm nga puna si pasojë e reformës që do të prekte personelin e Bënçës. Një prej kolegëve u shpreh se Elmazaj ishte vënë në dijeni se do të pushohej nga puna dhe për këtë qëndronte mjaft i shqetësuar. Por, një version i tillë është hedhur poshtë nga drejtori i Burgut. Ai pohoi se Ylli Elmazaj nuk ka qenë pjesë e reformës dhe as  ekzistonte ndonjë shkresë apo urdhër që mund t’i jetë komunikuar për shkarkimin nga detyra.

TEPELENE/ PIRO NASE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›