E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Të dorëhiqet Berisha”

Autori i Lajmit: red.
Kryetar i i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kërkon dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, pa dorëheqjen e Berishës dhe heqjen e imunitetit të tij, nuk mund të ketë hetime vërtet transparente dhe të pandikuara politikisht. Meta, duke dalë në mbështetje të deklaratës së ambasadorit amerikan Xhon Uithers, i kërkoi Kuvendit dhe faktorit politik në Shqipëri, të mos e zvarrisë çështjen e imunitetit dhe të mos ushtrojë presion politik ndaj Prokurorisë për hetimin e çështjes së Gerdecit. Sipas tij, presioni politik i Kryetares së Kuvendit ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, jo vetëm që është jashtë kompetencave të saj dhe abuzim i pastër politik, por njëkohësisht nuk synon të realizojë ato procedura parlamentare, transparente, që ndihmojnë një proces hetimor normal të gjyqësorit dhe të organit të akuzës. “Presioni politik i kryeparlamentares synon të krijojë probleme dhe ndërhyrje lidhur me hetimin e kësaj tragjedie të paprecedent”, - tha Meta. Kreu i LSI-së theksoi se presioni mbi gjyqësorin po përshkallëzohet në vazhdimësi nga mazhoranca e Sali Berishës, sidomos tani, pas ndryshimeve kushtetuese të realizuara prej tij, dhe gjithë të kapurve prej tij në 21 prill. Sipas Metës, Berisha dhe levat e tij, të inkurajuar nga këto ndryshime kushtetuese, që e mbifuqizuan atë në kurriz të parlamentarizmit, në kurriz të pavarësisë së organeve gjyqësore dhe kushtetuese, duke mbytur edhe ato zëra oponentë brenda mazhorancës nëpërmjet presionit tashmë të bërë publik të zgjedhjeve të parakohshme, po cenojnë çdo ditë jo vetëm pavarësinë e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, por njëkohësisht edhe pavarësinë e Gjykatës së Lartë dhe gjithë institucioneve të tjera kushtetuese. “Dobësimi i pozitës kushtetuese të Presidentit, pas ndryshimeve në Kushtetutë, për mënyrën e zgjedhjes së tij, po provon qartë se aventura e ndryshimeve të papjekura kushtetuese do të vijojë të shtojë problemet dhe shqetësimet në vend, do të vijojë t i japë krahë gjithnjë edhe më shumë uzurpimit të gjithë institucioneve të tjera nga ana e Berishës”, - u shpreh ai. Në emër të LSI-së, ai kërkoi hetime të paanshme ndërsa shtoi se pa dorëheqjen e Sali Berishës dhe heqjen e imunitetit të tij, nuk mund të ketë hetime vërtet transparente dhe të pandikuara politikisht.
Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›