Berisha: Të bëjmë gjithçka për të konsoliduar konceptet e NATO-s
Në fjalën e mbajtur në konferencën me temë Mbrojtje e zgjuar Bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Europës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve e të mbrojtjes, kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është e gatshme të bëjë gjithçka për të konsoliduar konceptet e NATO-s.
Duke folur për konceptin e mbrojtjes së zgjuar (smart defence), Berisha theksoi se Forcat e Armatosura duhet të ecin në një hap me reformat e NATO-s, një organizatë që nuk njeh lodhje.
Në thelb, po të shohim paimet e smart defence, mendja të shkon te çipet. Smart defence kërkon një integrim më të përsosur të të gjithë aleatëve për të përballuar me eficiencën më të madhe dhe kosto të ulët. Smart defence ka të bëjë me përcaktimin e qartë të prioriteteve dhe qëndrimin mes tyre. Ka të bëjë me një specializim të vendeve, çka rrit shumë kapacitetin mbrojtës. Ka të bëjë me një kooperim më të ngushtë, çka e bën të mundur një mbrojtje më të sigurt.
Lidhja e saj me krizën nuk është reale. Në krizë, jashtë saj dhe në çdo kohë, FA duhet të jenë të detyruar të konsumojnë në mënyrë progresive. Kjo ka lidhje me reformimin e NATO-s. NATO është e vetmja organizatë ndërkombëtare që nuk ka lodhje, përkundrazi me reforma ia del të kapë horizonte të reja, të jetë pararendëse e sigurisë së vendeve të lira në botë, tha Berisha.
Kryeministri u ndal në vizitën e tij para disa ditësh në Afganistan, ku forcat tona të armatosura kryejnë misionin e tyre në kuadër të trupave të NATO-s.
Shqipëria dhe Kroacia janë anëtaret më të reja të NATO-s. Forcat tona të armatosura janë të angazhuara në një seri projektesh në konceptin e smart defence. Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të konsoliduar këtë koncept në rajonin e NATO-s. Javën e kaluar unë pata një vizitë në Afganistan. Pata rastin të prek, të ndjej e të shoh punën e shkëlqyer të forcave të NATO-s në të 4 anët e Afganistanit. Forcat që përballeshin me falangat e Al Kaedës, të tjerë që me mundin e tyre ia kishin dalë në një hark kohor të shkurtër që numri i fëmijëve afganë që ndiqnin shkollat të shkonte nga 1 në 8 milionë, tha kryeministri.
Konferenca dyditore me temë “Mbrojtje e Zgjuar – Bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të mbrojtjes” është organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të NATO-s. / G.N.