Tiranë: Nuk donte burrin që i bëri familja, vetëvaret në prag të dasmës

Një vajzë 20-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur pranë banesës së saj, pak ditë para dasmës.
Sirie Gjana, lindur dhe banuese në fshatin Lundër të Tiranës u gjet e vdekur ditën e djeshme nga familjarët e saj.
Policia e njoftuar për ngjarjen mbërriti në vendngjarje për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se 20-vjeçarja ishte fejuar nga familja e saj në moshën 18-vjeçare me një 40-vjeçar i cili ishte emigrant në Greqi.
Shpresa për një të ardhme të mirë kishte detyruar familjen të fejonte vajzën e vogël pa dëshirën e saj.
E reja nuk e dashuronte të fejuarin e saj duke kërkuar shpesh herë që të ndahej. Një fakt i tillë jo vetëm që nuk u pranua nga prindërit por ata prenë edhe ditën e dasmës e cila ishte caktuar për muajin qershor.
Në pamundësi për të shpëtuar nga martesa me burrin të cilin nuk e donte dyshohet se ka detyruar 20-vjeçaren t’i kapë fund jetës.
Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme ajo është gjetur e vetëvarur në një pemë pranë banesës nga familjarët e saj./Indeksonline/