E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë-Prishtinë, bashkëpunim në fushën e artit

Marrëveshja Fakultetet e Artit, projekte të përbashkëta e ndihmë teknike në nivel ndërkombëtar

Fakulteti i Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë dhe Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve në Kosovë, ditën e enjte nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunime të ndërsjella, të cilat sjellin dobi dhe ndikime të favorshme mbi cilësinë e forcave të tyre akademike. Marrëveshja u firmos prej rektorëve Petrit Malaj i Akademisë së Tiranës dhe Mujë Rugova i Prishtinës. "Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi është vazhdimi i bashkëpunimeve të shumta të Universitetit të Prishtinës me universitetet në Tiranë që datojnë që në vitet ‘70. Pas një ndërprerjeje që patën, këto bashkëpunime tashmë po rifillojnë me ritme të tjera të larta. Ky bashkëpunim konkretizohet mes Akademisë së Arteve si një institucion me traditë të shkëlqyer në fushën e edukimit artistik”, u shpreh Rugova. Ndërsa rektori i Akademisë së Arteve, prof. Petrit Malaj, ka theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes fakulteteve, sidomos për sa u takon kurrikulave të përbashkëta, shkëmbimit të pedagogëve dhe lëvizjes së studentëve. Po ashtu ai theksoi se projektet e përbashkëta krijuese do të jenë një pikëtakimi e fuqishme, ku në to do të marrin pjesë studentë të dy shkollave. Ato do të jenë në arte skenike, muzikë e arte pamore. Të dyja palët janë të bindura se puna dhe bashkëpunimi do të sjellin krijimin e modeleve të bashkëpunimit ndërinstitucional e të ndihmës teknike në nivel ndërkombëtar. Disa prej pikave më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje janë promovimi i bashkëpunimit dhe kooperimi, duke inkurajuar lëvizjen e studentëve, zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta si seminare, takime, kongrese, punë kërkimore shkencore e krijuese në grup, publikime dhe botime. Gjithashtu, një tjetër pikë e rëndësishme ka të bëjë edhe me shkëmbimin e informacioneve dhe dokumenteve, publikimeve, katalogëve, kurrikulave, të cilat ndihmojnë punën hulumtuese. Pranimi ose njohja e diplomës së studentëve fituar nga universiteti i tyre për t’u regjistruar në universitetin pritës, si dhe shkëmbime reciproke të pedagogëve dhe studiuesve shkencorë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›