E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, makthi i qytetarëve të Tiranës

Radhë të gjata dhe pritje që zgjasin. Nisin sanksionet, s’ka certifikatë pa dokumentin elektronik

Pajisja me kartë identiteti është shndërruar në një makth të vërtetë për qytetarët e Tiranës. çdo ditë të javës nevojtarët detyrohen që të zënë radhën përpara dyerve të aplikimit për karta identiteti apo pasaporta biometrike. Por jo gjithmonë ata arrijnë që të kryejnë punë, brenda tetëorarëshit zyrtar të punës së kompanisë private që ka fituar këtë shërbim me firmë të qeverisë shqiptare. Radhët zgjaten frikshëm në çdo njësi bashkiake në kryeqytet dhe nuk mund ta konsiderosh veten me fat as në qendër dhe as në periferi të Tiranës, kur vjen puna të afrohesh në zyrat e njësisë bashkiake ku banon. E megjithatë detyrimi për pajisjen me kartë identiteti ndonëse fillimisht u la si zgjedhje e lirë e vetë qytetarëve tashmë procesit i janë bashkangjitur edhe sanksionet që detyrojnë çdo individ të trokasë të paktën një herë në këtë zyrë. Asnjë certifikatë nuk mund të lëshohet nga punonjëset e zyrave të gjendjes civile në rast se nuk je pajisur me kartë identiteti. Dhe nevoja urgjente për një të tillë mund të shndërrohet në një mision të pamundur në rast se deri tani je treguar neglizhent në pajisjen me këtë dokument. Përgjigjja është e prerë dhe shpresa është e paktë. Certifikatat jepen vetëm për ata persona që janë pajisur me karta identiteti. Ato nuk lëshohen as për ata persona që kanë aplikuar dhe tanimë janë në pritje të përgatitjes së dokumentit të ri elektronik të identifikimit. Punonjëset e zyrave të gjendjeve civile pohojnë se vihen në vështirësi përballë qytetarëve që u vijnë në sportel. Kjo, edhe për faktin se ato shumicën e banorëve të njësive të tyre i njohin shumë mirë tashmë pas kanë vitesh “bashkëjetese”. Por janë të detyruara të zbatojnë urdhrin e dalë nga Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile pranë Ministrisë së Brendshme. Sipas punonjëseve të zyrave të gjendjes civile, regjistri themeltar me të dhënat e shtetasve në zyrën qendrore është vetëm ai në formën elektronike. E për rrjedhim është bërë i domosdoshëm prezantimi i kartave të identitetit me numrat e serisë të personalizuara.

Nga ana tjetër, janë një numër i konsiderueshëm qytetarësh që nuk janë pajisur ende me këtë dokument elektronik për arsye të ndryshme, të cilët penalizohen edhe për mbarimin e shërbimeve të tjera, ku është e domosdoshme paraqitja e një certifikate. Gjithashtu, telashet me kartat e reja të identitetit nuk mbarojnë këtu. Ka persona që vijnë për muaj me radhë, me qëllimin për t’u pajisur me këtë dokument, por në mënyrë të përsëritur marrin të njëjtën përgjigje klishe: nuk është gati akoma. Madje në njësinë bashkiake numër 5 në Tiranë një i moshuar vërtitet në dyert e kësaj zyre prej gati një viti për të marrë këtë dokument identifikimi. Një shqetësim i tillë i qytetarëve që tashmë janë lodhur me ecejaket e tyre është përplasur edhe në dyert e drejtuesve të njësive bashkiake. Kështu, si në njësinë 5, atë 7 apo 2 dhe 3 në kryeqytet drejtuesit e tyre pohojnë duke ngritur supet se nuk mund të bëjnë asgjë për të ndihmuar qytetarët e tyre që i kanë votuar. Kjo, për faktin se ata janë lënë krejtësisht jashtë këtij procesi dhe gjithçka menaxhohet nga kompania private e zgjedhur nga qeveria për prodhimin e këtij dokumenti. Vetë qytetarët ankohen me radhët e gjata, duke thënë se peripecitë në këtë vend nuk paskan fund. Më të moshuarit mes tyre kujtojnë radhët e gjata që detyroheshin të mbanin gjatë sistemit të kaluar, por thonë se të paktën atëherë bëhej fjalë për ushqime dhe jo për letra.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›