E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset me thikë në sy 15-vjeçari, se njohu autorin

TIRANE – Një 15-vjeçar u qëllua me thikë, por arriti të mbijetojë nga një sulm i dhunshëm teksa kthehej në shtëpi pasditen e së martës në Babrru të Tiranës. Mjekët kanë thënë se i dëmtuari ka humbur shikimin nga goditja me thikë në syrin e majtë. Ngjarja e rëndë ndodhi në periferi të kryeqytetit dhe adoleshenti i plagosur ka deklaruar për policinë se nuk e ka njohur autorin e ngjarjes dhe nuk arrin ta shpjegojë as arsyen pse është sulmuar. Burime nga Policia thanë se kanë qenë kalimtarët e rastit që e kanë gjetur 15-vjeçarin Klodian Ç. të gjakosur dhe të shtrirë në rrugë dhe menjëherë kanë lajmëruar në sallën operative, pasi e kishin transportuar në Spitalin Ushtarak. Efektivat e Komisariatit Nr. 5 shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ku bënë këqyrjen, por pa arritur të gjenin ndonjë provë të vlefshme për hetimin. Ndërsa dy oficerë të krimeve kundër jetës dhe shëndetit kanë pritur përmirësimin e gjendjes shëndetësore të 15-vjeçarit, në mënyrë që të merrnin deklarimet e tij. Adoleshenti i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, por sipas mjekëve, goditja në sy ka qenë mjaft e rëndë dhe për pasojë ai e ka humbur shikimin nga syri i majtë. Ndërsa plagët në trup kanë qenë pa ndonjë problem serioz. Pasi ka dalë nga reanimacioni, Klodiani është marrë në pyetje, por dëshmia e tij nuk e ka ndihmuar grupin hetimor për të identifikuar autorin apo për të mësuar motivin e ngjarjes. Adoleshenti ka shpjeguar se nuk e ka njohur autorin, por mban mend që ai ishte rreth 18 vjeç dhe kishte veshur xhinse, një xhup të kuq dhe bluze të bardhë. Gjithashtu ai ka treguar se nuk ka konflikte me asnjë person dhe nuk i di arsyet e sulmit ndaj tij. Pas përshkrimeve të marra nga policia në lidhje me autorin e ngjarjes, oficerët e hetimit të krimeve kanë nisur punën me qëllim gjetjen e personave që mund ta njohin ose të identifikojnë autorin e krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›