Tirane arrestohen dy persona per vrasjen e 17 vjecarit Gjergji Prendi
Arrestohen dy persona për vrasjen e 17-vjeçarit Gjergji Prendi, mbrëmjen e të enjtes në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë.
Shërbimet e Komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës dhe oficerët e hetimit të vrasjeve arrestuan Skerdilajd Hykën, 17 vjeç dhe Beshar Secin, 18 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim O.Vaçioskin dhe A.Ndocajn.
Viktima Prendi është I vetmi që nuk ka patur lidhje me grindjen mes grupit të Shkozës dhe shokëve të tij të grupit të Kodrës së Priftit. Roland Roko, i cili është i plagosur në spitalin Ushtarak, ishte konfliktuar për shikimet dhe autoritetin e të fortit me të arrestuarit.
Kur këta të fundit kishin shkuar me lopata dhe leva për t’i dhënë një mësim të mirë Rokos, sipas policisë Prendi ka shkuar ta ndihmojë dhe ta largojë shokun e tij.
Por në vend që të shuhej grindja, të dy palët janë përleshur mes tyre.
Prendi ka ndërruar jetë rrugës për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak, si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa Roko ndodhet në spital, me plagë të rënda por jashtë rrezikut për jetën.