Tiranë, burri vret gruan e më pas edhe veten
Tiranë- Krimi brenda familjes ka shënuar dy viktima në Tiranë vetëm pak minuta më parë. Ngjarja e rëndë është regjistruar në zonën e Porcelanit, ku kanë shkuar forca të shumta policie për të hetuar rreth ngjarjes.
Të dhënat paraprake flasin për një sherr mes bashkëshortëve. “Burri ka vrarë gruan e më pas ka vrarë edhe veten me një armë tip pistoletë”- thonë burimet nga vendi i ngjarjes.
Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se autor i ngjarjes është shtetasi Hazir Sallahi. “Ai ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasen, A.L. me të cilën bashkëjetonte, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme dhe më pas ka vrarë veten”- thonë burimet.
Krimi ka ndodhur në mes të rrugës, ku policia ka gjetur gruan të shtrirë, të gjakosur e të pajetë. Dyshimet e para janë për një krim të ardhur si pasojë e xhelozisë, por ekspertët thonë se për këtë duhet të pritet fundi i hetimeve, që do të hedhë dritë mbi ngjarjen. Bëhet e ditur gjithashtu se shtetasi Hazir Sallahi punonte roje private pranë një subjekti në Tiranë.
Ngjarja vjen dy ditë pas tragjedisë së ndodhur në Burgun e Peqinit, kur burri, i dënuar me 22 vite burg mbyti gruan e më pas u vetëvra duke përdorur rrymën elektrike.