Tiranë, çelet për herë të parë zyra për informacion turistik
TIRANE- Bashkia e Tiranës çeli sot për herë të parë në kryeqytet zyrën e informimit turistik në shërbim të turistëve vendas dhe të huaj. Zyra e realizuar me mbështetje të GTZ-së e cila favorizon procesin turistik dhe kulturorë përmes njohjes së trashëgimisë kulturore dhe veprimtarive promovuese. Të pranishëm në ceremoninë e çeljes së zyrës ishte kreu i Bashkisë Edi Rama dhe ambasadori Gjerman në Tiranë Bernard Boashard. Ky i fundit tha se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë ne projekte të ndryshme. Vlera e të cilave në këto 20 vite të bashkëpunimit arrin në 800 milion euro.
Kurse kreu i Bashkisë Rama tha se kjo është zyra e parë e sdandarteve evropiane në Tiranë.
“Vendi ynë me një potencial strategjik për turizmin, kjo është zyra e parë e turizmit me standarde evropiane që hapet falë ndihmës së miqve tanë evropian dhe që i hap rrugë një komunikimi të ri me të gjithë vizitorët e qytetit tonë. Është një tjetër hap në drejtim të ndërtimit të Tiranës evropiane dhe nga ana tjetër është dallëndyshja e parë e një pranvere që pas 28 qershorit do të sjellë plotë lajme të tjera të mira”- tha kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama.
Zyra do të ofrojë informacion mbi restorantet, hotelet, ekspozitat, programet teatrale, panairet, kongreset dhe tregjet në Tiranë. Shpërndarja e materialeve ilustruese dhe guidave turistike do të jenë një tjetër aktivitet i kësaj zyre. Ndërkohë që gjithçka i shërben synimit për favorizimin e procesit turistik dhe kulturorë. (a.r/news24/balkanweb)