E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet me kapsollë 26-vjeçari

Një javë pas paralajmërimit të vetëvrasjes është mbyllur në dhomën e gjumit dhe është shtrirë në shtrat.

SARANDE/SHPRESA DINE

Nën jastëk ka vendosur një kapsolle dhe ka ndezur fitilin e saj. Vdekja i ka ardhur pas pak sekondash 26-vjeçarit Nasip Alikaj, banorit të fshatit Berdenesh të Sarandës.  Një telefonatë nga banorët e fshatit mbrëmjen e së shtunës ka njoftuar sallën operative të policisë së Sarandës për dëgjimin e një shpërthimi në shtëpinë e familjes Alikaj. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Komisariatit të Policisë, ku kanë gjetur trupin e pajetë të 26- vjeçarit. Bëhet e ditur se mbrëmjen e së shtunës, pasi ishte kthyer nga kullota ku punonte si çoban, Alikaj është mbyllur në dhomën e gjumit ku edhe ka realizuar planin e tij të vetëvrasjes. Nga familjarët mësohet se, Alikaj e ka ndërmarrë veprimin fatal pas dy tentativave të tjera të dështuara në të njëjtën ditë. Ai kishte pohuar përpara familjarëve se do të vetëvritej dhe madje ka tentuar në orët e paradites të pinte ilaç bagëtish. Në këtë rast ai është penguar nga babai i tij për të mos vepruar. Por dështimi i parë është pasuar nga një tjetër tentativë. Pak orë më pas ai ka tentuar t’i japë fund jetës me anë të rrymës elektrike, duke krijuar një qark të shkurtër. Ndërsa rreth orës 20:00, gjatë kohës që prindërit e tij nuk ndodheshin në shtëpi ai është vetëflijuar duke shpërthyer një kapsolle dinamiti fare pranë trupit. Zhurma ka sjellë në dhomë prindërit e tij, të cilët kanë parë skenën e tmerrshme. Trupi i të riut është gjetur i shtrirë në shtrat tejet i dëmtuar për shkak të afërsisë me kapsollen. Mësohet se në dhomë, jo larg shtratit të viktimës është gjetur edhe një fitil zjarrpërcjellës, me një gjatësi 11 cm ndërsa midis dorës dhe këmbës është gjetur një kuti shkrepëseje e përdorur. Gjithashtu në komodinën pranë krevatit është vënë re një bidon 1.5 litërsh me raki. Mendohet se një sasi e konsiderueshme e saj është konsumuar nga viktima përpara ngjarjes. Menjëherë pas mbledhjes së provave materiale, nga të cilat, sipas policisë, rezultoi se kemi të bëjmë me elemente të vrasjes në kushtet e depresionit, trupi i 26-vjeçarit është përcjellë për në morgun e spitalit “Petro Nako” të Sarandës, ku i është kryer edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Nga ana e grupit hetimor janë kryer të gjitha hetimet për përcaktimin e shkaqeve që e kanë shtyrë Alikajn drejt vetëflijimit. Bëhet e ditur se, ai ishte divorcuar rreth një vit më parë. Nga martesa kishte lindur një fëmijë, i cili jetonte me të. Sipas familjarëve, 26–vjeçari kishte rreth një javë që u thoshte prindërve se nuk e donte më jetën dhe se do të vetëvritej. Ndonëse ata kishin mundur ta ndalnin në dy rastet e para, i treti ka qenë fatal.  

Fshati i vetëvrasjeve
Berdeneshi është fshati që ka numrin më të lartë të vetëvrasjeve në rrethin e Sarandës. Gjatë vitit të kaluar dy të reja nga ky fshat u vetëmbytën në det, ndërsa një e tretë tentoi të vetëhelmohej, por që u arrit të shpëtohej nga ndihma mjekësore. Edhe viti 2008 paraqet një numër mjaft të lartë vetëvrasjesh e tentativash për vetëvrasje, për Sarandën dhe Delvinën. Deri tani bilanci është dy të vetëvrarë në Delvinë, një i vetëvrarë në Sarandë dhe dhjetëra të tjerë nga të dyja rrethet që kanë tentuar vetëflijimin, kryesisht për shkak të kushteve ekonomike, problemeve familjare apo gjendjes së tyre depresive.
                      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›