E Diel, 1 Nëntor 2026

FREST një ishull i pavarur brenda socialistëve

Share

Jona Dervishi

Do të dëshiroja t’ju njihja sado pak me FREST-in (Forumi Rinor EuroSocialist i Tiranës), një forum i ri i ngritur me iniciativen e një grupi të rinjsh socialistë të Tiranës

FREST-i përngjet me një ishull në mënyrën e organizmit dhe veprimtarisë, pasi është i pavaruar nga strukturat e Forumit EuroSocialist Shqiptar (FRESSH) nën drejtimin e Elisa Spiropalit, edhe pse në fakt urat e bashkëpunimit me të dhe me Sekretariatin e Partisë Socialiste për Rinine dhe Emigracionin janë të konsoliduara dhe raporti është i ndërsjelltë dhe frutdhënës.  Arsyeja përse funksionojmë, le të themi të ndare, vjen si një zgjedhje dhe zgjidhje që të rinjtë të jenë më të motivuar dhe të përshtatur nëpër vendet përkatëse ku kontribuojnë, por në fund të fundit gjithçka dhe kushdo që lind e rritet brenda Partisë Socialiste ka vetëm një ideal të përbashkët nje Shqipëri më të mirë!

Fushata Një hap para ka filluar, anëtarësimet shtohen dita ditës pa u ndalur duke e rritur kështu ndjeshëm numrin i anëtarëve të këtij forumi.  Atyre u jane bashkangjitur dhe shumë të rinj e të reja nga rrethet të cilët arsimohen, ose janë të punësuar në kryeqytet, dhe punojnë pa lodhje për ringritjen e strukturave të qëndrueshme dhe funksionale, ose më mirë të themi për rigjallërimin e tyre, pasi strukturat kanë ekzistuar edhe më parë.

Mesa duket rinia e kryeqytetit tonë, tashmë të grabitur pa takt nga ata që mendojnë se kush është opozitar nuk ka të drejtë të punësohet, të dëgjohet e madje as të shprehet, gjen tek ne një dritare nga ku mund të zgjasë kokën e të ndjejë frymën evropiane, një portë nga ku mund të hedhë hapin e të shfaqë talentin e saj dhe patjetër një vesh social nga ku mund të dëgjohet dhe në të njëjtën kohë të ndihmohet.  Kur them ndihmë, i referohem fuqisë së grupit dhe vëllazërimit mes nesh, mbështetjes nga anëtarët dhe kryetarët e kësaj force politike që është e vetmja forcë që mund të bëj të mundur që gjërat të ndryshojnë në mënyrë rrënjesore.. Për Partinë Socialiste dhe sidomos për FREST-in rinia është gjithnjë në fokus, ajo ndodhet në plan të parë, cdo problem i tyre përbën një problem për gjithë forumin në tërësi, pasi parimi ynë është Një për të gjithë, e të gjithë për një”!

FREST ka organizuar dhe pret të organizojë evente dhe trajnime të shumta qofshin ato politike apo sociale. Njëra ndër to është edhe Akademia Politike, tashmë e njohur për aftësinë e saj për të evidentuar dhe prodhuar Liderë të së Ardhmes. Akademia Politike mirëpriti për të dytin vit rradhazi plot të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria, në saj të një përzgjedhjeje me konkurs nga një staf akademik i shkëlqyer me figura të njohura dhe prestigjioze.

Do të doja të rikujtoja, për të gjithë ju që ndoshta nuk jeni bërë ende pjesë e kësaj nisme,  që një nga çështjet kryesore që FREST trajtoi me vendosmëri para disa kohësh ishte moslejimi i Importit të plehrave duke bërë manifestime nga më të ndryshmet, e deri diku radikale në simbole, nën titullin Drejtësia vdiq.  Një përpjekje maksimale për të mos lejuar miratimin e këtij ligji i cili me hyrjen në fuqi rrezikon ta shndërroj Shqipërinë në një kosh mbeturinash të Evropës, ku vende të ndryshme do të flaknin tej llumrat e tyre të panevojshme dhe toksike, duke e kthyer vendin tonë në një vatër të rrezikshme infeksioni. Në këtë rast FREST-i u bë zëri i arsyes dhe u foli ashpër pushtetarëve të korruptuar kundra këtij monstuoziteti i cili përben edhe një fyerje kombëtare që me siguri ka prekur sedrat e të gjithë bashkëkombësave tanë.

E pikërisht në një protestë krejtësisht paqësore të realizuar ne kuadrin e kësaj nisme ju ngrit padi penale shoqes sonë dhe aktivistes së këtij forumi Braziljana Memushajt, vetëm se u shpreh në media për arsyen e protestës dhe vetëm se inati i tërbuar i pushtetarëve me shtet të vjedhur donte patjetër të kapte në çark dikë për tu hakmarrë, duke u përpjekur kështu të censurojnë fjalën e lirë të një qytetari, që fundja as nuk fyeu, e çështë më e rëndësishmja, as nuk tha ndonjë gjë të pavërtetë.

Pavarisht presionit qeveritar Forumi ynë nuk do të ndalet, ne do vazhdojmë të protestojmë përsëri vendosmërisht e pa u kursyer për çdo pakënaqësi, apo shkelje të së drejtës të cilat ndodhin vazhdimisht në vendin tonë. Ajo çka ne kemi synim tashmë është unifikim, drejtësi dhe hapësirë të shprehuri. Ndryshe nga forumet e tjera politike FREST-i nuk është vetëm zëri përcjellës i së Majtës, ne jemi mbi të gjitha zëri i arsyes dhe i Rinisë, një grumbullim i shpirtrave të lirë, të cilët besojmë në idealin tonë Shqipërinë.

E meqë mu dha mundësia tju njihja sado pak në mënyrë të thjeshtë e spontane me FREST-in, unë do të doja shumë që ky shkrim të shërbente edhe si një thirrje ndaj gjithë të rinjve të cilët rastësisht po më lexojnë, të cilët ndihen të demotivuar dhe në kufijtë e parazitizmit që jo për faj të tyre i ka kapluar, të afrohen me ne dhe të bëjnë hapin e tyre të saktë drejt së ardhmes optimiste, drejt progresit dhe drejt erës Evropiane.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›