E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, gjendet trupi i pajetë i 12-vjeçares që ra në lumë

TIRANE – Gjendet trupi i pajetë i vogëlushes që ra aksidentalisht në lumë nga një urë e improvizuar me dërrasa, në Babrru të Tiranës.

Mësohet se trupi i 12-vjeçares është gjetur mëngjesin e sotëm në afërsi të urës së Institutit Bujqësor, në Kamëz.

Trupi është parë nga një qytetar, i cili ka njoftuar menjëherë policinë për ekzistencën e një kufome në ujërat e lumit. Më pas, policia konfirmoi se bëhej fjalë për 12-vjeçaren Emiljana Mekaj, e cila rezultonte e zhdukur prej ditës së martë.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditën e së martës rreth orës 16:15,  në lagjen Shpat të Babrrusë, kur vogëlushja Emiljana Mekaj ishte duke luajtur në afërsi të një ure me dërrasa e ndërtuar nga vetë banorët.

Dëshmitarë të ngjarjes bënë të ditur se 12-vjeçarja humbi ekuilibrin dhe përfundoi në lumë. Polumbarët e forcave RENEA dhe banorë të zonës nisën menjëherë kërkimet, por nuk arritën të gjenin trupin e vajzës, për shkak të ujërave të vrullshme të lumit.

URA
Ura e rrezikshme shërbente prej kohësh e si nyjë lidhëse mes lagjes Shpat në Babrru dhe Profarmes së Vjetër. Drejtues të komunës Paskuqan bënë të ditur se ura është një ndërtim i paligjshëm, i cili është prishur disa herë nga ana e autoriteteve, pasi përbën rrezik për jetën e banorëve, por është rindërtuar sërish.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›