Italia e kërkon për drogë, kapet punonjësi i Rrugëve

Policia e Vlorës
Një punonjës i administratës së Drejtorisë së Rrugëve në Vlorë u arrestua dje, pasi Drejtësia italiane kishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar duke e akuzuar si drejtues të një organizate kriminale.
Arben Purizo u prangos në lagjen ku ai banonte, Pavarësia, pas një operacioni të koduar Kujtesa. 51-vjeçari nuk u ka bërë rezistencë bluve, por mësohet se ai nuk e ka pranuar akuzën, duke aluduar madje edhe për një ngatërresë të mundshme. Sipas burimeve të Policisë, kapja dhe arrestimi i këtij shtetasi është kryer pasi në ngarkim të tij nga Gjykata Penale e Reggio Calabria Itali është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar më 10 korrik 1999. Kjo pasi ai dyshohet se ka drejtuar një organizatë kriminale me anëtarë shtetas shqiptarë dhe italianë me qëllim trafikimin e drogës dhe të qenieve njerëzore në drejtim të Italisë në periudhën e vitit 1998.
Pas arrestimit, policia bëri të ditur se do të nisin procedurat me palën italiane me qëllim ekstradimin e tij brenda 40 ditësh, ashtu siç e parashikon dhe ligji ndërkombëtar për ekstradimet. I arrestuari, shtetasi Arben Isufi (Purizo), dyshohet nga Drejtësia italiane për kryerjen e trafiqeve të lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore në vitin 1998, me anë të gomoneve nga Vlora për në Itali. Deri tani, edhe pse kanë kaluar 12 vjet, Purizo është vetëm i dyshuar, pasi nuk është marrë asnjë masë dënimi ndaj tij nga gjykatat italiane, bëri të ditur pas arrestimit Policia e Vlorës. Burime nga grupi i hetimit thanë se 51-vjeçari ka shprehur habi për arrestimin dhe nuk e ka pranuar akuzën. Ai është shprehur se nuk ka qenë në dijeni se ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, e madje ai ka lëvizur e punuar normalisht gjatë të gjithë këtyre viteve. Mund të jetë një gabim adrese ose dikush tjetër mund të ketë falsifikuar ndonjë dokument apo ka dhënë dëshmi të rremë ndaj meje. Asgjë nuk qëndron nga akuza e ngritur nga pala italiane. Kështu mësohet të jetë shprehur Purizo dje në polici, duke aluduar madje edhe faktin se gjithçka mund të ishte një ngatërresë me të vëllanë. Ky i fundit, shtetasi Romeo Purizo, sipas burimeve është i arrestuar, por nuk ka të dhëna nëse ai ndodhet në Kroaci apo në paraburgimin e Italisë. Emri i vëllait të të arrestuarit, Romeo Purizo, është lakuar në media pasi bashkë me dy persona u nis me gomone nga Vlora për në Itali. Gjatë rrugës, për shkak të motit të keq, gomonia pësoi defekt dhe u përmbys. Të dy personat ranë në det në afërsi të bregut të Kroacisë. Vëllai i Arbenit, Romeo Purizo, mundi të dalë në breg, kurse shoku i tij u mbyt dhe nuk u gjet trupi i tij. Mësohet se pasi u shpëtua nga Policia kroate, pala italiane i bëri kërkesë Kroacisë për ekstradimin e tij, pasi ai ishte person në kërkim ndërkombëtar për trafik të qenieve njerëzore. Për këtë shkak, i arrestuari Arben Purizo, baba i dy fëmijëve, ka aluduar për një ngatërresë të mundshme. Por policia nuk përjashton dyshimin se ai mund të ketë qenë bashkëpunëtor i të vëllait.