E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tiranë, grabiten brenda natës tre Benza

Rikthehen grabitjet e makinave në prag të festave të fundvitit. Asgjë gjurmë e hajdutëve profesionistë

TIRANË- Grabitësit e makinave duket se janë kthyer “fuqishëm” në punë këto ditë teksa po afrohen edhe festat e fundvitit. Tre automjete tip “Benz” janë vjedhur gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme në vende të ndryshme në Tiranë. Mëngjesin e djeshme specialistët e seksionit të vjedhjeve të automjeteve pranë policisë së Tiranës kanë regjistruar kallëzimin e 44-vjeçares M.Havari e cila deklaroi se në rrugën “Sami Frashëri” pranë banesës së saj në kryeqytet i kanë vjedhur veturën e saj tip “Merces-Benz”, me targa “TR 1146 F”. Burime nga policia thanë se kryen veprimet procedurale, dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa u bë shpallja në kërkim e mjetit. Më vetëm pak orë më pas specialistët e këtij seksioni regjistruan denoncimin e 37-vjeçarit P. Disha i cili ka deklaruar se i kanë vjedhur veturën e tij tip “Mercedes-Benz 240”, me targa “TR 8716 D”, të cilin e kishte parkuar në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Policia bëri të ditur se megjithëse nisi hetimet nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj vjedhjeve. Po dje një tjetër automjet është denoncuar si i vjedhur. Ka qenë I. Hoxha 41-vjeç i cili ka treguar në polici se i kanë vjedhur automjetin tip “Mercedes-Benz 240”, me targa “TR 6154 A”, të cilin e kishte parkuar pranë banesës së tij në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Burimet policore thanë se asnjë nga autorët e këtyre vjedhjeve nuk është identifikuar. Por policia ka nisur hetimet për zbulimin dhe kapjen e tyre të cilën akuzohen për veprën penale të “vjedhjes”. Specialistët e sektorit të vjedhjes së makinave në polici kanë pohuar se edhe këtë fund viti gjahu kryesor i hajdutëve janë makinat tip “Benz”. Ata kryesisht i çmontojnë makinat në servise të specializuara dhe më pas i shesin për pjesë këmbimi. Ndërkohë që ditën e djeshme janë bllokuar dy automjete nga policia e kryeqytetit pasi rezultonin të vjedhura jashtë shtetit. Mësohet se njëri prej mjeteve pas verifikimeve rezultonte i vjedhur në Serbi në vitin 2003, ndërsa tjetri në Itali në vitin 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›