Basha në janar përpara pesë gjyqtarëve
Si do të gjykohet ministri i Jashtëm për korrupsionin në rrugën Durrës- Kukës dhe mënyrat e apelimit të çështjes
TIRANË- Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, do të gjykohet në themel nga ana e Gjykatës së Lartë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderë. Kjo është një procedurë që është ndjekur rrallë nga Gjykata e Lartë por që bazohet në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin e Procedurës Penale. Edhe pse gjykimi do të bëhet nga një pesëshe gjyqtarësh, ai do të jetë si në gjykatën e rrethit dhe do të bëhet shqyrtimi i provave dhe dëshmitarëve nga fillimi. Juristët kanë shpjeguar dje për “Shekullin” të gjithë procedurën se si do të gjykohet ministri.
Gjyqtarët
Dosja e Prokurorisë së Përgjithshme me aktakuzën, pesë fashikuj me materiale dhe dokumentet e tjera është dorëzuar në Gjykatën e Lartë mesditën e së premtes. Ajo është protokolluar në kryesekretarinë e gjykatës dhe më pas ka kaluar për shqyrtim. Burimet e Gjykatës së Lartë pohuan se nesër, dita e parë e punës pas festës së Bajramit, bëhet hapja e zarfeve dhe dosja “Basha” do të siglohet nga kryetarja e gjykatës. Pas këtij veprimi, brenda tre ditësh hidhet shorti se kush gjyqtar do ta shqyrtojë çështjen. Burimet e gjykatës pohuan se shorti është elektronik por më shumë përparësi kanë gjyqtarët e rinj, të cilët kanë më pak ngarkesë pune. Duke qenë se bëhet fjalë për një çështje penale, edhe relatori i saj do të jetë nga kolegji penal. Me caktimin e relatorit të çështjes kryhet edhe faza e parë e procesit. Procedura ka parashikuar që relatori të ketë gati edhe “katërshen” e tij dhe në këtë mënyrë krijohet pesëshja e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë çështjen e shumëpërfolur të ministrit të akuzuar për korrupsion në rrugën Durrës- Kukës.
Procesi
Pas caktimit të relatorit dhe katër gjyqtarëve të tjerë përcaktohet edhe data e gjyqit, e cila nuk mund të jetë më larg se një muaj. Sipas kësaj procedure, ministri Basha do të ulet në bankën e të pandehurve në mes të muajit janar 2009. Juristë dhe gjyqtarë shpjeguan dje se procesi do të zhvillohet si një gjyq në shkallën e parë, pra do të jetë një proces në themel. Kjo bazohet në nenin 141, pika A e Kushtetutës “Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”. Në proces do të paraqiten provat dhe materialet e të dyja palëve, akuzës dhe mbrojtjes, si dhe do të pyeten dëshmitarët sipas procedurës së hetimit gjyqësor.
Apelimi
Më fund do të jetë kjo pesëshe gjykuese që do të vendosë se çfarë do të bëhet me ministrin Lulzim Basha. Nëse gjykata e shpall fajtor ose të pafajshëm, kjo rrëzon edhe të gjitha animimet e tjera që janë bërë si në Gjykatën e shkallës së parë ashtu edhe në atë të Apelit. “Shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Lartë nuk mund të privojë asnjë individ dhe as prokurorinë nga e drejta e gjykimit në të paktën dy shkallë. Ky është një parim që nuk mund t’i cenohet askujt”,- thanë dje juristët në lidhje me këtë çështje. Sipas tyre, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, të dyja palët kanë mundësi apelimi në Kolegjet e Bashkuara. Kjo është edhe faza e fundit e procesit ku çështja shqyrtohet nga të gjithë 17 anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ata do të japin mendimin e tyre në lidhje me çështjen dhe ky vendim është i apelueshëm vetëm në Gjykatën Kushtetuese.
PËRJASHTIMI
I vetmi gjyqtar që nuk mund të shqyrtojë çështjen e ish- ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, është Gani Dizdari. Kjo për faktin që gjyqtari Dizdari ka shqyrtuar më parë një kërkesë në lidhje me këtë çështje. Kjo e lë atë jashtë procesit të shqyrtimit të çështjes “Basha”. Gjyqtarët e tjerë të Kolegjit Penal kanë të gjithë mundësinë për të shqyrtuar dosjen kundër ish- ministrit të Transporteve.
AKT-AKUZA
SHKELJET E NDARA NË PIKA
1. Janë miratuar nga Këshilli i Ministrave gjashtë vendime. Nga verifikimet e kryera në Qendrën e Publikimeve Zyrtare rezulton se nga Këshilli Ministrave janë dërguar për botim dhe janë botuar në Fletoren Zyrtare vetëm vendimet Nr.526 dhe Nr.651, pra vendimi që cakton anëtarët e komisionit që do përzgjedhë firmën fituese dhe vendimi që miraton kontratën me sipërmarrësin, ndërsa kontrata nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Mospublikimi i këtyre vendimeve është një veprim në kundërshtim me nenin 117/1 të Kushtetutës ku thuhet se aktet normative të Këshillit të Ministrave marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare.
2. Përzgjedhja e konsulentit “Ecorys Group” është bërë në shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. Përzgjedhja e tij ka qenë e paracaktuar nga zoti Lulëzim Basha. Ky subjekt është favorizuar duke u shpallur fitues pa konkurrim dhe nga ana tjetër është favorizuar duke e paguar më shumë se kishte kërkuar vetë ai.
3. Procedura e ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe lidhja e kontratës me këtë firmë për zbatimin e punimeve është kryer me shkelje të shumta ligjore, duke favorizuar subjektin sipërmarrës. Shkeljet e konstatuara kanë sjellë dhe dëme te konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.
Nga hetimi është provuar se shoqëria konsulentë ka patur konflikt interesi me shoqërinë Bechtel-Enka, të cilën e ka rekomanduar si fituese. Rezulton se shoqëria “Ecorys Group” në bashkëpunim me shoqërinë “Parsons Brinckerhoff” janë aktualisht konsulentë dhe i ofrojnë asistencë teknike Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
Rezulton se shoqëria “Parsons Brinckerhoff” është një shoqëri që ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me shoqërinë Bechtel Inc. për punime civile të kryera në qytetin Boston të SHBA.
Gjatë periudhës që shoqëria konsulentë po kryente procedurat e përzgjedhjes dhe negociimit të kontratës me shoqërinë Bechtel, ajo ka qenë njëkohësisht së bashku me shoqërinë “Parsons Brinckerhoff” duke konkurruar në zyrat e Delegacionit Evropian në Tiranë për të fituar të drejtën e konsulentit në Ministrinë e Punëve Publike e Transportit.
4. Bazuar në hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se çmimet për njësi të vendosura në kontratë janë propozuar nga shoqëria sipërmarrëse dhe janë pranuar nga investitori si “të arsyeshme dhe të ndershme” pa u ndryshuar fare. Ky fakt konfirmohet nga raporti përfundimtar i shoqërisë konsulentë Ecorys Group.
Në pikat 25, 26 dhe 27 të “Transaction Report” (përgatitur nga Ecorys Group) thuhet se i është kërkuar shoqërisë sipërmarrëse të paraqesë çmimet për njësi dhe një vlerë të synuar për përfundimin e punimeve. Çmimet e paraqitura dhe vlera e synuar i janë nënshtruar një vlerësimi nga shoqëria sllovene DDC, e cila në përfundim ka vlerësuar se janë të ndershme dhe të arsyeshme duke pasur parasysh dhe mungesën e projektit.
Mbi këtë bazë janë pranuar në kontratë çmimet për njësi dhe vlera e synuar që ka propozuar sipërmarrësi. Pra rezulton se kemi “negociimi të çmimeve”, duke pranuar pa ndryshuar asnjë nga çmimet e paraqitura nga sipërmarrësi. Edhe këtu duket hapur favorizimi që i është bërë subjektit sipërmarrës.
SHKELJET E BASHËS
1- Përzgjedhja pa konkurrim e Ecorys Group
2-Kontrata për ta paguar 95 mijë USD më shumë
3-Katër vendimet e qeverisë, të iniciuara nga Basha
4- Komisioni ndërkombëtar, pa shqiptar
5- Modeli ndërkombëtar FIDIC, i pazbatuar
6- Mungesa e ofertave nga firmat e huaja në tender
7- Mungesa e një projekti përfundimtar
8-Mungesa e një fondi limit
9-Çmimet e aplikuara në kontratë për njësi
10-Shtimi i 8 kilometrave rrugë në kontratë
11- Pagesa e infrastrukturës, 10 % të shumës së kontratës
12-Çmimet e betonit, sa 2-fishi i tregut shqiptar
13- TVSH është marrë përsipër nga shteti shqiptar
14- Konflikti i interesit të “Ecorys Group”
15- Refuzimi për të dëshmuar në prokurori