Tiranë, grabitja, i marrin 10 mln lekë tregtares
TIRANE – Një tregtare është grabitur pasditen e djeshme, teksa ishte nisur për të kryer furnizimin për dyqanin e saj të fruta-perimeve. Një person i është afruar dhe i ka tërhequr me dhunë çantën e krahut, ku sipas saj kishte shumën prej 10 milionë lekësh të vjetra, përveç objekteve të tjera personale. Ngjarja ndodhi në afërsi të qendrës tregtare Kristal, në Tiranë, kur Kujdese Ymeraj sapo kishte dalë nga shtëpia dhe më pas do të kthehej tek dyqani i saj, që ndodhet në lagjen Komuna e Parisit. Pavarësisht se nuk ka mundur të shpëtojë çantën ku mbante paratë, Ymeraj ka arritur të fiksojë tiparet e autorit të ngjarjes, të cilat ia ka shpjeguar policisë në momentin kur ka denoncuar ngjarjen në Komisariatin Nr.2. Menjëherë sapo kanë marrë të dhënat e nevojshme, forcat e policisë së Komisariatit Nr.2 kanë nisur patrullimin e zonës, për të zbuluar vendndodhjen e të dyshuarit. Brenda disa orësh, oficerët e kërkimit dhe parandalimit të krimeve kanë mundur të identifikojnë dhe të ndalojnë të dyshuarin e ngjarjes. Burime nga policia thanë se i dyshuari është 24-vjeçari Erait Hysa, që pas ballafaqimit me tregtaren Kujdese Ymeraj dhe verifikimit të provave, pranoi autorësinë e ngjarjes.