E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, grabitje me armë pranë Spitalit Ushtarak

Një grabitje me armë ka ndodhur sot në mbrëmje në një dyqan në periferi të Tiranës. Persona të armatosur janë futur me maska dhe me armë dhe kanë grabitur para dhe karta telefonike, ndërkohë që kanë tmerruar njerëzit e pranishëm 

TIRANE- Panik në periferi të Tiranës. Persona të armatosur kanë grabitur me armë një kinkaleri pranë spitalit Ushtarak në Tiranë. Ata janë futur me maska dhe me armë në dyqan dhe kanë grabitur para dhe karta telefoni. Ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së dhurimit të gjakut dhe mësohet se grabitësit nuk kanë shtënë me armë, por vetëm kanë alarmuar njerëzit e pranishëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:30 të mbrëmjes. Grabitësit kanë mundur të marrin xhiron ditore të dyqanit si edhe disa karta të telefonisë celularë që tregtoheshin aty. Autorët kanë mundur të largohen me një makinë pa targa mes rrugicave pranë rrugës ”Jordan Misja”. Me të marrë sinjalizimin përkatës në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit numër 3. Deri në mbrëmje nuk konfirmohej shuma e parave të grabitura. Autorët dyshohet të jenë përdorues droge, por policia nuk kishte mundur të identifikonte ndonjë të dyshuar për ngjarjen.

(O.Zh/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›