Zbulohen katër mashtrues, vodhën gjashtë persona
Katër persona janë dërguar për ndjekje penale, pasi akuzohen për mashtrim. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se u dërguan materialet në prokurori për Fatmira dhe Elvis Tenkon, përkatësisht 48 dhe 23 vjeç, pasi ndaj tyre, një grua ka deponuar një kallëzim penal, se të sipërcituarit i kanë marrë shumën e parave prej 220 mijë lekësh dhe nuk ia kanë kthyer më. Gjithashtu, në prokurori u dërgua edhe Adelina Hoxhaj, 37 vjeçe. Ndaj saj kanë depozituar kallëzim penal tre persona, të cilët kanë deklaruar se ajo u ka marrë shumën e parave prej 400 mijë, 60 mijë dhe 200 mijë lekësh, të cilëve nuk ua ka kthyer më. Policia shtoi se u dërguan materialet në prokurori për mashtrim edhe për Shqipe Bajram Krosin, 57 vjeçe. Ndaj saj kanë bërë kallëzim dy persona të tjerë, të cilët deklarojnë se ajo i ka mashtruar se do u dërgonte fëmijët në Itali dhe në Gjermani. Ajo u ka marrë atyre përkatësisht 1 mijë euro për në Itali dhe 2 mijë euro për në Gjermani. Një veprim të tillë nuk e ka kryer, por edhe paratë nuk i ka kthyer më.