Tiranë, homazhe në nder të arkitektit Enver Faja
Në ambjentet e Galerisë së Arteve po zhvillohen homazhe në nder të arkitektit dhe diplomatit, Enver Faja i cili u nda nga jeta në moshën 77- vjeçare në një spital në Strasburg, pas një sëmundje të gjatë.
Homazhe po bëjnë krerët më të lartë të shtetit. Kryeministri, Sali Berisha i shprehu ngushëllimet familjes, ndërsa shtoi se bota intelektuale dhe shkencore shqiptare ka pësuar një humbje të rëndë, me ndarjen nga jeta të Enver Fajës.
Enver Faja u nda nga jeta, por ka lënë mbrapa vepra të shkëlqyera, që e përfaqsojnë atë me dinjitet në memorien e miqve të tij dhe qytetarëve- tha Berisha.
Ndërsa, kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli tha se familja ka humbur njeriun e dashur. I përulemi me respekt dhe nderim- u shpreh ajo.
Faja, autoritet i veçantë në fushën e urbanistikës dhe arkitekturës, është autor dhe bashkautor i objekteve të rëndësishme si Muzeu Historik Kombëtar, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tirane, Studimi i Qendrës në Vlorë, masterplani i Qytetit Studenti, ndërtesa e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, monumenti kushtuar Kuvendit të Lezhës, studimi urban i zonës industriale të Tiranës etj.
Enver Faja ka shërbyer edhe si diplomat, ambasador i Shqipërisë në Poloni ne vitet (1992-1996).