E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, sërish ligjet me 3/5 në seancë plenare

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare, ndërsa janë futur në rend dite ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash.

Zyra e shtypit e Kuvendit ka publikuar dy ditë më parë rendin e ditës për mbledhjen e sotme të Parlamentit, në të cilën janë edhe një sërë ligjesh të tjera.

Rendi i ditës
Disa ndryshime në ligjin Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë, të ndryshuar.
Marrëveshja me Austrinë për Gjendjen Civile.
Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative.
Katër nisma ligjore për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal.
Dy nisma ligjore për ndryshimin e Kodit Detar.
Tre nisma ligjore për ndryshime dhe shtesat në Kodin Rrugor.
Një shtesë në Kodin Ajror.
Projektligj Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë.
Miratimi i buxhetit faktit 2010.
Plotësimi i vendeve vakante në institucione.
Në seancën e shkuar , kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i dorëzoi maxhorancës publikisht paktin prej 10 pikash të propozuar nga opozita për zgjidhjen e krizës politike. Por, që nga e enjtja e kaluar asgjë nuk ka ndryshuar. Në fuqi vazhdon të jetë kundëroferta e maxhorancës, e cila pranon vetëm tri nga këto dhjetë pika dhe që janë: reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit nga opozita. Pavarësisht nga kjo situatë, Partia Demokratike duket se po tenton sërish të vërë në provë opozitën kur e fton atë të votojë katër kode dhe ligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative.

Kjo është seanca e fundit e Kuvendit përpara se Komisioni Europian, të mërkurën e ardhshme, më 12 tetor, të publikojë progres-raportin për Shqipërinë, që sipas të gjitha gjasave, nuk do të rekomandojë dhënien e statusit për vendin kandidat.

Përgjegjësia për këtë përgjigje negative nga Brukseli duket se do të debatohet edhe në seancën e ditës së sotme.

Ndërkohë pika e parafundit e rendit të ditës parashikon një Interpelancë me Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi kërkuar nga deputeti Erjon Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›