E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, kryeplaku kultivon hashash, arrestohet i vëllai

Në fshatin Kuç të kryeqytetit, prej dy vitesh mbilleshin parcela me hashash por kryeplaku arrin të "arratiset"
TIRANË- Antidroga zbulon parcelat me canabis sattivam, pronë e kryeplakut të fshatit Kuç, në Tiranë. Por as këtë herë policia nuk ka mundur që të arrestojë pronarin e parcelave me hashash pasi kryeplaku i fshatit, Qerim Hidri, 46-vjeç, ka vrapuar sapo ka parë forcat e policisë duke i lënë ata në "baltë". Ndërkohë që antidroga e policisë së Tiranës përfundoi operacionin e koduar "Kufiri i fundit" në fshatin Kuç, me prangosjen e vëllait të kryeplakut të fshatit, Hidër Hidri, 42-vjeç si dhe të blerësit të drogës, Agron Gurakuqi, 33-vjeç. Nga ana e policisë janë sekuestruar shtatë thasë me lëndë narkotike e dyshuar kanabis sattiva. Burime zyrtare nga policia thanë se është shpallur në kërkim kryeplaku i fshatit Kuç, pasi akuzohet për veprën penale të "prodhimit dhe shitjeve narkotike", "kultivimit të bimëve narkotike" si dhe të "armëmbajtjes e municioneve pa leje".
Droga
Gjeografia e kultivimit të drogës është zhvendosur tashmë nga fshatrat "me nam" të Vlorës e Gjirokastrës në ato pak të dëgjuar të kryeqytetit. Prej më shumë se dy vjetësh, kryeplaku i fshatit Kuç, Qerim Hidri, kishte mundur të kultivonte bimë narkotike në territorin e tij. Mësohet se kryeplaku kishte shfrytëzuar një copë toke në arat e tij për të mbjellë bimë narkotike kanabis sattiva. Burime nga policia thanë se toka ku kishte mbjellë lëndën narkotike Hidri ndodhej në një terren të vështirë dhe nuk diktohej nga kalimtarët, apo banorët e fshatit. Kështubimën narkotike që kishte kultivuar vetë kryeplakut ia blinte Agron Gurakuqi. Më pas ky i fundit e shiste drogën për hesapin e tij në kryeqytet. Burimet policore bëjnë të ditur se kryeplaku e shiste drogën në masë të mëdha pa krijuar shumë klientë me qëllim shmangien e "thashethemeve" se ai mbillte drogë të cilët rrezikonin të arrinin në "vesh" të policisë.Mirëpo agjentët e antidrogës, në rrugë operative kishin mundur të siguronin informacione për "aktivitetin" e Hidrit rreth një vit më parë, por kishin dështuar në sigurimin e provave që do ta mbanin atë në qeli. Ndërkohë që Agron Gurakuqi, i cili furnizohej me drogë te Hidri për ta shitur vetë më pas, është zbuluar nga policia, rreth pesë muaj më parë. Agjentët e antidrogës nisën menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur prodhuesit e bimës narkotike.
Operacioni
Pas informacioneve të sakta për kultivimin e bimëve narkotike, antidroga e policisë së Tiranës ka ndërmarrë ditën e djeshme një operacion të koduar "Kufiri i fundit". Forca të shumta policie zbarkuan dje në fshatin Kuç, dhe rrethuan banesën dhe arat e kryeplakut të fshatit. Ky i fundit sapo diktoi policinë u largua me vrap duke u shpëtuar prangave të policisë. Ndërsa vëllai i tij, Qerim Hidri, nuk ka bërë të njëjtin veprim duke rënë në rrjetën e policisë. Në pranga ka rënë edhe blerësi i drogës së kryeplakut, Agron Gurakuqi.Burime zyrtare nga policia thanë se Gurakuqi ka qenë i dënuar më parë për "vjedhje me armë", ndërsa kryeplaku Hidër Hidri për "Kultivim të bimës narkotike". Të njëjtat burime shtuan se gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e Gurakuqit u gjendën dhe u sekuestruan12.4 gramë lëndë narkotike e dyshuar Heroinë dhe 35.2 gramë lëndë e dyshuar si "canabis sativa". Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e vëllezërve Beqir dhe Hidër Hidri, u sekuestruan, 500 qese, të cilat përdoreshin për kubik me qëllim rritjen e fidanit të bimës narkotike, shtatë thasë lëndë narkotike e dyshuar canabis sattiva, me peshë 60 kilogram, 315 gramë farë bime të bimës canabis sattiva si dhe sasia e parave prej 740 euro dhe 182 000 lekë, të përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Gjithashtu kryeplakut të fshatit iu sekuestruan edhe 500 copë qese plastike, të cilat shërbejnë për ambalazhimin e kubikëve për kultivimin e bimëve narkotike, katër copë automatikë tip–kallashnikov dhe gjashtë copë krehër, një pistoletë, sasia prej 1 600 copë fishekë mod – 56, një letërnjoftim në emër të Qerim Hidrit si dhe një palë targa mjeti "HSK-N 7064". Policia e Tiranës bëri me dije se po vazhdojnë hetimet për të identifikuar dhe kapur të tjerë persona të mundshëm të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›