Korçë, shkatërrohet për skrap kaskada ujitëse e Dunavecit
Vjedhja e materialeve prej hekuri nëpër vepra të ndryshme dhe, më tej, tregtimi i tyre për skrap, po dëmton gjithmonë e më tepër objekte shtetërore, funksionale ose jo. Pas tenderimit të objekteve si Kombinati i Sheqerit në Maliq apo edhe TEC-it të Korçës, tashmë persona të ndryshëm po shkatërrojnë në mënyrë individuale këto ndërtesa. Listës së gjatë së veprave të shkatërruara për skrap i është shtuar edhe kaskada ujitëse e lumit të Dunavecit në Korçë. Struktura e saj është shkatërruar dhe shembur duke rrezikuar tokat bujqësore në fshatin Vashtmi, me qëllimin e vetëm të përvetësimit të materialeve që tregtohen për skrap. Sipas banorëve, betoni është copëtuar për nxjerrjen e materialeve metalike e, më tej, shufrat e saj metalike janë vjedhur për t’u shitur për skrap, pa u marrë parasysh dëmi i shkaktuar për këta banorë, të cilët nuk mund të vadisin tokat e tyre bujqësore. Janë qindra hektarë toke të cilat për vite me radhë janë kultivuar nga këta banorë me produkte të ndryshme dhe për vaditjen e këtyre të fundit është përdorur pikërisht kjo kaskadë. Por, me mosfunksionimin e saj si pasojë e shkatërrimit nga persona të papërgjegjshëm, tani banorët janë gjendur para një situate të vështirë. Përveç kësaj kaskade janë dëmtuar për skrap edhe vepra të tjera ujitëse e kulluese, por ky ngjason me një fenomen të përsëritur ndaj të cilit askush nuk merr përgjegjësinë e nevojshme për ta parandaluar. dh.d