E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulëz, protestë para HEC-it për privatizimin

Protesta në Ulëz

ULEZ – Dhjetëra protestues kanë tubuar dje paradite në sheshin “Papa Gjon Pali” në qytezën e Ulzës. Punëtorë të hidrocentraleve Ulëz e Shkopet, pronarë të tokave të përmbytura nga këto vepra energjetike, si dhe sindikalistë të sektorit hidroenergjetik, janë mbështetur nga kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj dhe presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci. “Vijmë këtu për të protestuar, por edhe për të biseduar në lidhje me procesin e privatizimeve të HEC-eve”, nënvizoi në fjalën e tij Nikollaj. Sipas tij, ish-pronarët e tokave të përmbytura, të shpërblyera nga regjimi i kohës në mënyrë qesharake, kërkojnë të bëhen aksionerë gjatë shitjes së hidrocentraleve mbi lumin e Matit. “Të paktën 3-5 % e vlerës së objekteve të ndahet për pronarët e tokave”, tha ai. Po ashtu, kreu i Sindikatave u shpreh se punëtorët që dalin të papunë pas shitjes së HEC-eve Ulëz e Shkopet të marrin të paktën dy vjet pagë. Punonjësit e HEC-eve Ulëz dhe Shkopet u shprehën të vendosur, ashtu si pronarët e tokës së zënë nga dy hidrocentralet, për të mos lejuar privatizimin e tyre ose të jenë aksionerë në të. Pas tubimit në qytezën e Ulzës, protestuesit u zhvendosën drejt portës kryesore të hidrocentralit të Ulzës dhe më pas u shpërndanë paqësisht. Sipas organizatorëve, kjo nuk do të jetë protesta e fundit, por do të ketë edhe protesta të tjera, deri në zgjidhjen e këtij problemi, në marrëveshje me punonjësit dhe pronarët e tokës së zaptuar nga liqenet Ulëz dhe Shkopet.                       h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›