Tiranë, mbahet sot Kongresi i Partisë Socialiste
TIRANE- Partia Socialiste do të mbledhë sot Kongresin e saj zgjedhor. Në orën 11:00, në sallën e Pallatit të Kongreseve, 1500 delegatët e zgjedhur dhe ata që hyjnë automatikisht do të diskutojnë e miratojnë në fund programin e ri të PS dhe statutin e rinovuar. Pika më e nxehtë e Kongresit do të jetë propozimi dhe votimi për Asamblenë e re. Zbulohen disa nga emrat e rinj që do të propozohen për në Asamblenë e re Kombëtare, e cila do të votohet me listë kombëtare, dhe jo sipas qarqeve. Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ish-ministri i Fianacave Anastas Angjeli, ish-deputeti Bukurosh Stafa, ish-ambasadori Bashkim Zeneli dhe ishkreu i PS-së së Tiranës Musa Ulqini, janë disa nga emrat e rinj të Asamblesë Kombëtare që do të propozohen nga selia rozë, ndërkohë që propozime pritet të bëhen dhe nga delegatët në sallë. Kongresi do të nisë me fjalën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili do të paraqesë vizionin e ri të programit të sapopërfunduar, i cili, siç e ka theksuar edhe ai vetë, do ta bëjë PS parti fituese të zgjedhjeve të ardhshme. Fjala e kryetarit socialist do të jetë e hapur për mediat, ndërsa në sallë do të jenë prezentë dhe rreth 500 të ftuar, mbështetës të PS, komisionerë, njerëz të spikatur në aktivitetet politike. Pas fjalës së Ramës, kongresi është i ndarë në tri seanca: seanca e parë do të diskutojë mbi programin politik të PS-së, seanca e dytë mbi Statutin, ndërsa seanca e tretë do të merret me propozimet dhe votimin e kandidatëve për anëtarë të Asamblesë. Pritet që seanca e parë, ajo ku do të diskutohet programi, të zhvillohet me dyer të hapura.
PROGRAMI
Do të jenë katër përfaqësues të lartë të PS-së, ekspertë të fushave të tyre, që do të përfaqësojnë katër shtyllat e programit të ri të Partisë Socialiste. Në një seancë të hapur për të gjithë, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, do të zbërthejë kapitullin Rimëkëmbja e ekonomisë, ku do të sqarohen se si PS do të krijojë 300 mijë vende pune apo dhe uljen e TVSH-së. Kapitulli Ripërtëritja e shoqërisë do të prezantohet nga deputetja Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit. Sajmir Tahiri, deputet i Tiranës dhe nënkryetar i Grupit Socialist, do të prezantojë kapitullin tjetër të programit, Rivendosja e demokracisë dhe në fund, shtyllën e katërt të këtij, Ribashkimi me Europën, do ta prezantojë deputeti Ditmir Bushati. Pas këtij prezantimi pritet të zhvillohen diskutime për programin për një periudhë kohore prej 2 orësh. Në këtë pikë, anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, do të paraqesë platformën e tij, sa politike aq dhe organizative, se si duhet të funksionojë dhe drejtohet Partia Socialiste.
STATUTI
Në seancën e tretë pritet të jetë sekretari Organizativ, Blendi Klosi, i cili do të prezantojë ndryshimet që janë bërë në Statutin e PS, kryesisht për çështjet organizative të tij. Kjo seancë pritet të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke e cilësuar tematikën e saj teknike, me specifika organizative dhe elektorale. Selia rozë vëren si të suksesshme vendosjen e koordinatorit elektoral në çdo qendër votimi e deri në këshillin elektoral në bazë rrethi. Detyra e tyre do të jetë patronazhimi i çdo qendre votimi, bashkie dhe komune gjatë fushatave zgjedhore dhe ditën e zgjedhjes. Gjithashtu, një ndryshim tjetër në Statut propozohet ndryshimi i siglës së partisë, nga PSSH në PS, dhe kjo bëhet për efekte votimi, për të shmangur çdo inicial tjetër partie të majtë të ngjashme me PS.
ASAMBLEJA
Seanca e fundit dhe më e rëndësishmja e këtij kongresi zgjedhor është zgjedhja e Asamblesë së re, e cila më pas do të zgjedhë Kryesinë e re dhe Sekretariatin e ri. Mësohet se nuk pritet të ketë ndryshime të ndjeshme nga anëtarët e Asamblesë të qarkut të Tiranës, që aktualisht janë anëtarë të saj. Ndryshime kryesisht priten nga rrethet. Çdo bashkie të madhe, qendër qarku, i janë kërkuar dy kandidatura për në Asamble, një mashkull dhe një femër. PS do të propozojë 120 emra për në Asamble, ku 50% do të jenë gra. Votimi do të jetë pika e fundit e kongresit të sotëm, ndërsa procesi i numërimit do të zgjasë disa ditë.