E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Uroj të jetë kongresi i bashkimit

Kongresi i sotëm i socialistëve pritet me interes jo vetëm për mesazhet që do të përcjellë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, apo edhe për miratimin e dy dokumenteve shumë të rëndësishme siç janë statuti dhe programi, por edhe për qëndrimin që do të mbajë ajo pjesë e kësaj force, e cila ka shprehur qëndrime kritike për mënyrën sesi ka vepruar deri më sot lidershipi i saj. Pra bëhet fjalë për ato figura të socialistëve që dy vite më parë u rreshtuan në Lëvizjen për Mendim Ndryshe dhe që sot përbëhet nga Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani etj. Burime pranë tyre kanë bërë të ditur se ata do të marrin pjesë në punimet e Kongresit dhe madje aty pritet që deputeti Arben Malaj të mbajë dhe një fjalim, ku do të shfaqë rezultatet e turit që ai së bashku me kolegë të tjerë zhvilloi në bazën socialiste për demokratizimin e partive politike shqiptare. Për rrjedhojë, fjalimi pritet të jetë kritik për nivelin e demokracisë dhe lirisë që ekziston sot në PS, ashtu siç ishte dhe fryma që mbizotëroi në takimet e turit të tij. Ndërkohë që gjatë procesit të votimit të dy dokumenteve, ndryshimeve në statut dhe draft-programit, nuk përjashtohet mundësia që ata të paraqesin edhe ndonjë amendim për pika të veçanta. Deputeti Andis Harasani, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj lidershipit socialist, duke folur dje për Kongresin është shprehur se ky kongres duhet të jetë kongresi i bashkimit. “Në lidhje me ndryshimet në statut, mendoj duhen rishikuar, ndërsa në lidhje me atë që ju thatë për programin ose për draft-programin, besoj që është një përpjekje serioze. Se çfarë do të donim ne si një forcë shumë serioze politike si Partia Socialiste për të ndryshuar, por nuk është as program, as draft program pasi në asnjë moment, nuk ka se çfarë ne duhet të bëjmë ndryshe, si duhet ta bëjmë ndryshe dhe kush është fatura financiare. Do e uroja dhe do e mbështesja kryetarin Rama për të realizuar një kongres bashkimi, sepse kjo është ajo çka ka nevojë Partia Socialiste“, - u shpreh Andis Harasani, Sekretar i Programit Politik të PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›