PS, zbardhet axhenda e kongresit të sotëm
Fjalën përshëndetëse do ta mbajë Blendi Klosi, ndërsa më pas do të flasin Valentina Leskaj, Mimi Kodheli, Sajmir Tahiri dhe Ditmir Bushati. Kreu i PS-së, Rama do të analizojë dhe paraqesë risitë e programit dhe projektit
Partia Socialiste do të mbajë sot Kongresin e saj zgjedhor të radhës, ku përveç miratimit të Programit politik dhe ndryshimeve në Statut, pritet të zgjidhen dhe anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare. Kongresi do t’i nisë punimet në orën 11:00, për të vijuar gjatë gjithë ditës së sotme në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Gjatë gjithë ditës së djeshme punonjës të kontraktuar nga selia rozë kanë punuar për ndërtimin e skenës dhe dekorin, ku siç mësohet, do të bjerë në sy një banderolë e madhe, ku në qendër të saj do shkruhet tema e kongresit që është njëkohësisht dhe titulli i draft-programit “Për një rilindje shqiptare”.
Hapja
Kongresin do ta hapë Sekretari organizativ, Blendi Klosi, i cili përveç mirëseardhjes dhe urimit për punime të mbara të këtij forumi të ri për nga përbërja, do të bëjë dhe prezantimin e presidiumit. Më pas do të vijohet me prezantimin e katër shtyllave të programit të ri politik të Partisë Socialiste, ku për secilën prej tyre do referojë nga një figurë e njohur e socialistëve. Kapitullin e Programit ekonomik ose siç është cilësuar në këtë draft-program me titullin “Rimëkëmbja Ekonomike” për delegatët dhe gjithë opinionin publik, i cili do mund ta ndjekë këtë pjesë të zhvillimeve të Kongresit nëpërmjet ekraneve televizive, do ta prezantojë nënkryetarja socialiste e komisionit parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli. Pas saj do të flasë kryetarja e komisionit parlamentar të Medias, Valentina Leskaj, e cila do të bëjë publike atë pjesë të programit që trajton çështjet sociale, i titulluar “Ripërtëritja e shoqërisë”. Ndërkohë për kapitullin e Programit të demokracisë i njohur në këtë draft-program si “Rivendosja e demokracisë”, ku hyjnë ato që trajtojnë fushat e drejtësisë, rendit, sigurisë apo edhe mediave, do të referojë nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Sajmir Tahiri, i cili mban në të njëjtën kohë dhe detyrën e kryetarit të PS-së së Tiranës. Shtylla e katërt e draft-programit, ajo që quhet “Ribashkimi me Europën”dhe që trajton çështjet e integrimit dhe të marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, do të prezantohet nga deputeti Ditmir Bushati.
Pas prezantimit të këtij dokumenti të rëndësishëm që pritet ta miratohet gjatë pasdites, Kongresi do të vijojë me fjalën përshëndetëse të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili pritet të përcjellë dhe mesazhe të rëndësishme për gjithë socialistët, si dhe për linjën politike që do të mbajë kjo forcë politike në vijim. Kongresi do të vazhdojë dhe me përshëndetjet nga drejtues të partive aleate të ftuar të marrin pjesë në këtë eveniment të socialistëve. Kongresin do ta përshëndesin dhe përfaqësues nga Internacionalja Socialiste, Partia Socialiste Europiane, si dhe nga partnerë të tjerë të huaj.
Diskutimet
Kaq për sa i përket pjesë së hapur të kongresit, pasi pas 30 minutave pushim, ai do të vijojë me diskutime të mbyllura për median, për Programin dhe Statutin e partisë. Këtu pritet të ketë fjalime dhe analiza nga figura të njohura të socialistëve, ku do tentohet të përcillet fryma e bashkimit dhe jo ajo e përçarjes. Në fund kongresi do të nisë procedurën e votimit të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, ku listës së propozuar nga Rama do t’i shtohen edhe propozime të ardhura nga delegatët gjatë mbledhjes. Delegatët do të zgjedhin më shumë se 120 anëtarë asambleje nëpërmjet një liste kombëtare. Megjithatë, ky pritet të jetë një proces që do zgjasë në kohë dhe për rrjedhojë rezultatet do mund të njihen vetëm ditën tjetër, pra të dielën.
Klosi: Programi nuk do mbyllet në Kongres
Programi që do të miratojë sot Kongresi i Partisë Socialiste nuk do të jetë një material i mbyllur dhe final që do të tregojë vizionin e kësaj force politike për mënyrën sesi ajo e koncepton qeverisjen e vendit. Sekretari organizativ, Blendi Klosi, duke folur dje për mediat lidhur me pritshmëritë e kongresit, ka bërë të ditur faktin se Programi që do të miratohet nga organizmi më i lartë i kësaj force do t’i nënshtrohet më pas një diskutimi të gjerë në bazë, ku pritet të ketë dhe përmirësime për ato çështje për të cilat do të shihet e arsyeshme. “Diskutimet e kongresit, sidomos për pjesën e Programit të ri politik, nuk përbëjnë një diskutim të fundmë. Programi pasi të miratohet nga delegatët e kongresit do të shpërndahet në të gjithë strukturën e PS-së, do të diskutohet gjerë nga intelektualë të fushave të ndryshme dhe nga grupime të caktuara të shoqërisë, duke u përpjekur që ky program i ri të shkojë në të gjitha shtëpitë e shqiptarëve, duke qenë një udhërrëfyes për garën e ardhshme elektorale të PS-së”, - tha Klosi. Në lidhje me emrat e rinj për në asamble, Klosi thotë se lista mund të pësojë ndryshime edhe gjatë punimeve të kongresit. “Mbas Statutit të ri, i cili do të miratohet në seancën e parë, numri i anëtarësisë së Partisë Socialiste është i përcaktuar në çdo forum të partisë dhe kjo është një nga risitë që sjell Statuti i ri. Çdo forum i partisë zgjedh në përbërje të tij një numër më të madh anëtarësh sesa janë ata të përcaktuar në bazë të detyrës funksionale që ushtrojnë”, - theksoi Blendi Klosi, Sekretar organizativ i PS-së. Vetë Klosi në këtë kongres ka paralajmëruar se së bashku me delegatët e qarkut të Durrësit do të kërkojë miratimin e një rezolute, ku të sanksionohet se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama do të jetë kryeministri i vendit nëse kjo forcë do të fitojë zgjedhjet.